Kolegji “Pjetër Budi” ka mbajtur Konferencën Finale me temën “Rritja e kapaciteteve të të diplomuarve për transferim të lehtë në tregun e punës në fushën e industrisë së Doganave dhe Shpedicionit”. Ky projekt është financuar nga Ambasada Amerikane në Prishtinë, administruar nga KUSA dhe implementuar nga Kolegji “Pjetër Budi”.
Rektori i Kolegjit “Pjetër Budi,” prof. dr. asoc. Sabri Klaiqi, shpalli zyrtarisht hapjen e konferencës përfundimtare për këtë projekt.
Prorektorja e Kolegjit “Pjetër Budi,” Luljeta Aliu Mulaj, shprehu falënderimin e saj ndaj të pranishmëve për pjesëmarrjen e tyre aktive në këtë ngjarje të rëndësishme si dhe për kontributin gjatë periudhës së implementimit të projektit me qëllimin e arritjes së objektivave të këtij projekti. Ajo ka theksuar se ky projekt ka qenë një hap i rëndësishëm drejt përmirësimit të cilësive të arsimit dhe forcimit të kapaciteteve të studentëve në fushën e doganave dhe shpedicionit.
Në prezantimin e saj, Prorektorja Aliu Mulaj, ka paraqitur arritjet e projektit, duke përfshirë rishikimin e programit lëndorë në Doganë dhe Shpedicion. Ajo gjithashtu nënvizoi që ky projekt ka kontribuar në përgatitjen e studentëve për një të ardhme të suksesshme në tregun e punës fushës së doganës dhe shpedicionit.

Prorektore e Kolegjit “Pjetër Budi”
Dr. Gokcen Ogruk-Maz, profesoreshë në Universitetin ” Texas Wesleyan”, Shtetet e Bashkuara të Amerikës, e përfshirë si eksperte ndërkombëtare në këtë projekt, prezantoi praktikat dhe përvojat e SHBA-së dhe Universitetit “Texas Wesleyan”, duke theksuar rëndësinë e lidhjes së institucioneve të larta me ekonominë. Ajo gjithashtu ndau përvojat konkrete të aplikuara në Universitetin ku ajo ligjëron.

Kurse Udhëheqësja e Departamentit të Burimeve Njerëzore në Doganën e Kosovës, znj. Merita Koliqi, theksoi se institucionet akademike dhe palët e interesuara duhet të bashkëpunojnë për të siguruar që kurrikula të jetë e përditësuar dhe në përputhje me nevojat e industrisë. Kjo përfshin njohuritë praktike, regulloret e tregtisë ndërkombëtare dhe dixhitalizimin, pasi që industritë e doganave dhe transportit të mallrave po ndryshojnë duke u bërë gjithnjë e më digjitale, kështu që të diplomuarit duhet të jenë të aftë për të përshtatur me teknologjitë e reja.

Udhëheqëse e Departamentit të Burimeve Njerëzore në Doganën e Kosovës
Prof. Jeton Vokshi, kryetar i Shoqatës së Shpeditorëve të Kosovës, shtoi se tregu i Kosovës ka nevojë për profesionistë, pasi që aktualisht në Kosovë operojnë afër 350 Agjencione Doganore dhe qindra kompani transportuese. Ai po ashtu theksoi që stafi i cili merret me kontrollimin e mallrave duhet të ketë përgatitje të lartë profesionale.

Prof. Asoc. Dr. But Dedaj, ish-dekani në Universitetin e Prishtinës, profesor dhe ekspert i Arsimit të Lartë në Kosovë, vuri në dukje rolin e rëndësishëm të rritjes së kapaciteteve arsimore. Ai prezantoi disa shembuj të kërkesave të punës apo shkathtësive në krahasim me ofertat që jep tregu i punës në Kosovë dhe rajon.

Konferenca ka pasur një rëndësi të madhe në adresimin e sfidave dhe mundësive në fushën e doganave dhe shpedicionit, duke theksuar nevojën për bashkëpunim të ngushtë mes sektorit akademik dhe industrisë për të përgatitur studentët për sfidat e tregut të punës.