Kolegji Pjetër Budi

Sot në kolegjin “Pjetër Budi” ka filluar trajnimi tre-ditor me temën “E-Biznesi”. Ky trajnim zhvillohet në kuadër të Institutit për Zhvillim dhe Integrim, me mbështetjen e MZHR (Ministrisë së Zhvillimit Rajonal).

Gjatë këtyre tre ditëve do të trajtohen tema si avancimi i bashkëpunimit mes bizneseve dhe shoqatave, si dhe roli i të rinjve në këtë proces.

Çështjet që u diskutuan në ditën e parë të trajnimit (sot) ishin menaxhimi i partneriteteve mes organizatave dhe bizneseve, roli i organizatave në përfshirjen e të rinjve në biznes dhe menaxhimi i bizneseve nga të rinjtë, duke i vënë rendësi të veçantë avancimit të bashkëpunimit të shoqatave dhe bizneseve në rritjen e mundësive për të rinjtë.

Përfaqësuesi i MZHR, z. Shani Hamitaga, motivoi pjesëmarrësit në zhvillimin e ideve, duke theksuar se hapi i parë në arritjen e një qëllimi gjithmonë qëndron në kërkimin e ideve të reja.

Këtë trajnim e drejtoi profesoresha e Kolegjit “Pjetër Budi”, Fitnete Bejta, e cila sot u shpjegoi të pranishmëve rolin që ka menaxhimi i bashkëpunimit mes shoqatave dhe bizneseve.

Kujtojmë se ky trajnim do të zgjasë edhe në dy ditët e ardhshme, ndërsa pas trajnimit, pjesëmarrësit do të pajisen me certifikata.