Kryeshefi Ekzekutiv i Postës së Kosovës bashkëbisedoi me studentët e “Pjetër Budit”

Në kuadër të Klubit të Debatiti të Kolegjit “Pjetër Budi”, me studentët e këtij institucioni të arsimit të lartë ka bashkëbiseduar Sejdi Hoxha, Kryeshef Ekzekutiv i Postës së Kosovës (PK).

Hoxha ka folur për historikun, funksionimin dhe menaxhimin e PK-së.

Ai ka theksuar rëndësinë dhe përparësitë e përdorimit të shërbimeve postare por, njëkohësisht, ka paralajmëruar edhe nisjen në janar të vitit të ardhshëm të shërbimeve financiare jobankare në të gjitha zyrat postare në Kosovë. Sipas statistikave të prezantuara, Posta… arrin deri në 80% mbulueshmëri të territorit të vendit.

Kryeshefi Ekzekutiv Hoxha ka përmendur edhe sfidat me të cilat është përballur Posta… pas ndarjes nga Posta dhe Telekomi i Kosovës (PTK) sfida të cilat, sipas tij, stafi menaxhues ia ka dalë t’i tejkalojë me anë të një menaxhimi të mirë, të ngritjes së disciplinës në punë dhe të ofrimit sa më të mirë të shërbimeve. Ai, po ashtu, iu ka bërë thirrje në veçanti studentëve dhe të gjithë të rinjve që t’i përdorin shërbimet postare edhe në aspektin e komunikimit.

Hoxha gjatë bashkëbisedimit me studentët është ndalur edhe tek Filatelia e Postës së Kosovës dhe ka treguar për emetimin e pullave postale me tematika të ndryshme. Po ashtu, ai ka paralajmëruar se të gjitha zyrat postare në Ksovë do të pajisen brenda pak muajsh me kamera dhe alarme, në mënyrë që të parandalohet plaçkitja dhe thyerja e tyre.

Klubi i Debatit organizohet tash pesë vjet brenda Kolegjit “Pjetër Budi”, me ndihmën e Organizatës Studentore të këtij institucioni të arsimit të lartë.

Leave a comment