Granit Xhaka u nderua me “Medaljonin e Artë”

Me motivacionin “Për mjeshtrinë e dëshmuar në artin e futbollit dhe promovimin e shtetit të Kosovës në botë”, Kolegji “Pjetër Budi” e ka nderuar sot me Çmimin Vjetor “Medaljoni i Artë” futbollistin Granit Xhaka.

Pas pranimit të çmimit nga Dekani i Kolegjit, prof.dr. Nuhi Rexhepi, Xhaka ka bashkëbiseduar me studentët në kuadër të “Klubit të Debatit” të “Pjetër Budit”.

Pasi rrëfeu rrugën e tij të suksesshme në futbollin profesionist Xhaka tha se, pavarësisht se ka lindur në Zvicër, çdoherë kur ka kohë të lirë, atë e shfrytëzon për të ardhur në Kosovë.

Duke folur për të ardhmen e tij, ai u shpreh se sapo Kosova të pranohet në FIFA dhe UEFA do t’i bashkohet Përfaqësueses së Kosovës, bashkë edhe me kosovarë të tjerë që luajnë futboll nëpër klube të njohura europiane dhe botërore.

Ndërkaq, duke konfirmuar ofertat nga klube të njohura europiane, Xhaka theksoi se deri në vitin 2017 ka kontratë me Borussia Muenchengladbach dhe se dëshiron që të jetë në formën më të mirë për Kupën e Botës që do të zhvillohet në Brazil dhe më pas do të vendosë për të ardhmen e tij.

“Deri pas Kupës së Botës do të jem në këtë skuadër më pas do të shohim se çka do të ndodhë”, theksoi ai.

Xhaka, bashkë me pesë lojtarë të tjerë shqiptarë do të jetë pjesë e Përfaqëueses së Zvicrës në Botërorin 2014.

Ai është përgjigjur edhe në pyetjet që kishin të bënin me etiketimet e ndryshme negative që i janë bërë atij dhe futbollistëve të tjerë shqiptarë të Zvicrës pas ndeshjes me Shqipërinë, pastaj për idhujt e tij në futboll dhe klubet e preferuara, si dhe për jetën private.

Leave a comment