Në “Pjetër Budi” u shënua Dita Ndërkombëtare e të Drejtave të Njeriut

“Është nder i madh që dikush, i cili është vetë i shtypur, të luftojë për të drejtat e njeriut”, tha Adem Demaçi

Prishtinë, 10 dhjetor

Me një ligjëratë të Adem Demaçit dhe shfaqjen e filmit dokumentar “Dear Mandela”, të martën në Kolegjin “Pjetër Budi” është shënuar 10 Dhjetori – Dita Ndërkombëtare e të Drejtave të Njeriut. Aktivitetet e organizuara nga Këshilli për Mbrojtjen e të Drejtave dhe Lirive të Njeriut (KMDLNJ) dhe “Pjetër Budi” kanë mbledhur një numër të madh studentësh dhe të interesuarish të tjerë.

Gjatë ligjëratës së tij Demaçi ka folur për rëndësinë e respektimit të të drejtave të njeriut, ndërkohë që nëpërmjet rrëfimit të jetës së vet ka shpjeguar se si nga një shtet, i janë shkelur të drejtat një populli të tërë. “Është nder i madh që dikush, i cili është vetë i shtypur, të luftojë për të drejtat e njeriut”, theksoi ai.

Po ashtu, Demaçi ka folur edhe për Nelson Mandelën, i cili ndërroi jetë javën e kaluar. “Bota po ndahet vetëm fizikisht nga Mandela”, tha ai.

Demaçi ka folur edhe për heronjtë, duke thënë se vetëm ai që vdes për kombin, ia vlen. “Nëse mundeni të vdisni për kombin, do ta keni më lehtë. Duke vdekur për kombin, vdes për njerëzimin. T’i vlerësojmë ata që flijohen për kombin”.

Me “vdekje për kombin” Demaçi nënkuptonte jo vetëm vdekjen fizike, por çdo sakrificë të gjithësecilit në të mirë të popullit dhe të mbarë njerëzimit.

I pyetur për ish-presidentin Ibrahim Rugova, Demaçi tha se ai ishte frikacak. Ndërkaq, kur iu kërkua vlerësimi për njerëzit që aktualisht jkanë në pushtet në Kosovë, Demaçi nuk dha kurrfarë cilësimi të drejtpërdrejtë pozitiv a negativ, por vetëm tha se “një numër i vogël” i atyre që kanë luftuar, “kanë devijuar rrugën”

 

Pas ligjëratës, për audiencën u shfaq filmi “Dear Mandela”. Kolegji “Pjetër Budi”, ndërkaq, paralajmëroi manifestimin “Muaji i të drejtave të njeriut”, që filloi me këto aktivitete dhe do të vazhdojë me të tjera, që përfshijnë edhe ligjërata nga personalitete të tjera dhe shfaqje filmash.

 

Në Kolegjin “Pjetër Budi” më 23-27 dhjetor 2013 mbahet edicioni i 12-të i Festivalit Ndërkombëtar të Filmit Dokumentar për të Drejtat e Njeriut “Një Botë”, i cili organizohet nga KMDLNJ.

Leave a comment