Kolegji Pjetër Budi

Kolegji “Pjetër Budi” dhe Albanian Massive Open Online Courses (ALMOOC) kanë nënshkruar një memorandum mirëkuptimi, i cili ka për qëllim të promovojë edukimin nëpërmjet metodës inovative të hapur online – mësim në distancë për studentët e Kolegjit “Pjetër Budi” dhe më gjerë. Qëllim parësor mbetet nxitja e mësimdhënies dhe familjarizimi i audiencës kosovare me këtë koncept të ri mësimdhënieje, që në thelb është përdorimi sa më efikas i metodës së mësimit në distancë.

ALMOOC është platformë edukative që bashkëpunon me profesorë të dalluar të botës shqiptare për t’iu ofruar klasë “online” të gjithëve falas.

“Ne e parashikojmë një të ardhme ku çdokush të ketë qasje në edukim kualitativ. Ne kemi për qëllim që të fuqizojmë njerëzit me arsim që do ta përmirësojë jetën e tyre, të familjeve të tyre, dhe të komunitetit ku jetojnë ata”, është motoja e ALMOOC.

Përfaqësues të Kolegjit “Pjetër Budi”, ndërkaq, thanë se nënshkrimi i memorandumit me ALMOOC është shumë i rëndësishëm, sepse studentët bëhen pjesë e rrjeteve globale, ku mësimi në distancë zhvillohet prej vitesh. Sipas tyre, kjo është një mundësi e mirë për studentët që të ecin në hap me trendet e zhvillimeve akademike në botë.