Diplomoi gjenerata e re e Kolegjit “Pjetër Budi”

Gjenerata e re e studentëve të Kolegjit “Pjetër Budi” ka diplomuar të shtunën, në një ceremoni solemne të organizuar në Sallën e Kuqe të Pallatit të Rinisë dhe Sporteve në Prishtinë. Studentët e diplomuar kanë përfunduar studimet në nivelet Bachelor e Master, në programet Doganë dhe Shpedicion, Administrim Biznesi, Menaxhim i Turizmit e Hotelerisë, Sigurime, Menaxhment dhe Menaxhim i Sigurimeve.

 

Dekani i “Pjetër Budit”, Prof. Dr. Hashim Rexhepi, në fjalimin e tij tha se studentët e kanë përmbushur një etapë shumë të rëndësishme të jetës – përfundimin me sukses të studimeve, si dhe i kanë përmbushur të priturat profesionale e akademike – e mbi të gjitha ato njerëzore. Por, sipas tij, arsimimi nuk ndalet pasi studentët të kenë diplomuar në kolegj.

 

“Thellimi i diturisë është një detyrë njerëzore, është diçka që e çon përpara jetën tuaj. Sepse vetëm nëpërmjet arsimimit të vazhdueshëm ne i shtojmë njohuritë tona njerëzore. Sepse nëse ndalet të mësuarit, do të ndalej progresi i njerëzimit, do të ndalojë zhvillimi shoqëror e prosperiteti ekonomik”, tha Rexhepi.

 

Sipas tij, asnjëherë nuk duhet ndjekur shtegun apo rrugën e tjetrit. “Duhet të ndiqni pasionin dhe zemrën tuaj. Sepse nëse gjendesh në një pyll dhe të duket se je i humbur dhe e sheh një shteg drite, me siguri se atë do ta ndjekësh”, i porositi ai studentët.

 

I ftuari në këtë ceremoni, shkrimtari e gazetari Ibrahim Kadriu, iu tha studentëve se diplomimi është vetëm fillimi i një rrugëtimi të gjatë në jetë, ndërkaq në emër të Organizatës Studentore të Kolegjit “Pjetër Budi” foli studenti Valon Neziri.

 

Me dy pika muzikore u paraqit sopranopja Ardita Ukaj, e përcjellë në piano nga prof. Naser Dula.

 

Ky vit akademik është i njëmbëdhjeti me radhë i funksionimit të Kolegjit “Pjetër Budi”, i cili shquhet për ofrimin e studimeve universitare në programe akademike zhvillimore.

Leave a comment