Stavileci: Të thyhen paragjykimet për bujqësinë

Duhet të thyhen paragjykimet se të merresh me bujqësi dhe agrobiznes sot në Kosovë nuk është e levërdishme dhe në trend. Kështu tha të mërkurën, në një bashkëbisedim me studentët e Kolegjit Universitar “Pjetër Budi”, ministri i Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural, Blerand Stavileci.

Stavileci ka debatuar me studentët për mundësitë e bërjes biznes në Kosovë dhe gjetjen e rrugëve sa më të përshtatshme për të rinjtë, në mënyrë që ata të merren me biznes, sidomos në fushën e bujqësisë, si një ndër më atraktivet në Kosovë. Ai, po ashtu, ka treguar për ndihmën e ministrisë së drejtuar nga ai për bujqit kosovarë, si dhe për përparimin që po bëjnë dita-ditës në treg prodhimet vendore.

Duke folur për përfshirjen e të rinjve në politikë, Stavileci është shprehur se në këtë mënyrë ata do të marrin përgjegjësi për veten dhe vendin, duke kontribuar me ide dhe punë.

“Puna është kryesorja. Me punë arrihet gjithçka”, është shprehur ai, teksa ka përmendur edhe paragjykimet që kanë ekzistuar për të para dy vjetësh, kur ishte emëruar ministër.

Bashkëbisedimi me ministrin Blerand Stavileci është organizuar në kuadër të aktiviteteve të manifestimit tradicional Ditët e Hapura të “Pjetër Budit” që ka nisur më 1 qershor dhe do të përfundojë më 2 korrik 2012

Leave a comment