Loading

Libri “Ujëvarat e Mirushës” i autorit Hysen Sogojeva, që u promovua të mërkurën në Kolegjin “Pjetër Budi” në Prishtinë, u cilësua si studim serioz për turizmin kosovar.

“Ky libër është një kontribut i madh, i cili e trajton këtë pikë turistike nga të gjitha këndvështrimet. Në mënyrë komplekse dhe të detajuar libri ndahet në dhjetë kaptina, duke nisur me komponentet gjeografike e deri veçoritë fiziko-gjeografike të dala nga ekspedita e autorit. Në libër mes kaptinave flitet edhe për zhvillimin e blegtorisë, bujqësisë në këto zona të mbrojtura” tha recensenti i librit, Ibish Mazreku.

“Ujëvarat e Mirushës” sjell të dhëna edhe për vendbanimet, popullsinë e këtyre pikave si dhe të dhëna të detajuara mbi zhvillimin e turizmit të qëndrueshëm. Sipas recensentit tjetër të librit, Bedri Millaku, libri përmban të dhëna specifike dhe është një hulumtim i rëndësishëm. Ai tha se, autori ka bërë diçka të madhe dhe ka hapur rrugë për realizimin e projekteve të reja. “Shumë projekte në këtë fushë kanë rezultuar të dështuara dhe me këtë libër edhe studiuesë të tjerë duhet të binden se sa shumë turizëm kemi, e sa shumë duhet punohet për të”, theksoi ai.

Libri “Ujëvarat e Mirushës” u cilësua si një nismë serioze drejt paraqitjes së Ujëvarave të Mirushës për lexuesin kosovar dhe jo vetëm.

Autori Sogojeva falënderoi edhe recensentin tjetër të librit, Musa Gashi, ndërkaq për librin dhe zhvillimin e turizmit në Kosovë foli edhe Zekë Çeku, kryetar i Asociacionit të Turizmit të Kosovës. Sipas tij, institucionet qendrore kanë bërë pak për zhvillimin e kësaj fushe, ndërkaq ka shembuj të mirë në disa komuna që kanë investuar në turizëm. Kontributin më të madh në fushën e turizmit, sipas tij, e kanë dhënë bizneset private, ndërkohë që institucionet akademike si Kolegji “Pjetër Budi” gjithashtu po japin kontribut të çmueshëm, në aspektin e shkollimit të studentëve në Programin e Menaxhimit të Turizmit dhe Hotelerisë në nivelet bachelor dhe master. Një fjalë rasti mbajti edh studenti i “Pjetër Budit”, Hamedon Gashi.

Hulumtimet shkencore rreth turizmit kosovar nuk janë të shumta. Derisa në vitin 2010 institucionet kosovare nisën të përpilonin një strategji për zhvillimin e turizmit dhe pikave turistike, literaturës kosovare vazhdojnë t’i mungojnë libra në të cilët paraqitet gjendja e turizmit dhe vendet atraksion në Kosovë. Andaj, libri “Ujëvarat e Mirushës” është një kontribut i rëndësishëm në këtë fushë.

Share this:

Leave a comment

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

https://twitter.com/pjeter_budi
https://www.instagram.com/kolegjipjeterbudi/