U mbajt Panairi i Turizmit, Hotelerisë dhe Prodhimeve Vendore

Më se njëzet kompani janë prezantuar të premten në Panairin e Turizmit, Hotelerisë dhe Prodhimeve Vendore, që u organizua në Sheshin “Zahir Pajaziti” në Prishtinë.

Shërbimet dhe produktet e tyre i kanë prezantuar agjenci të ndryshme turistike, hoteliere dhe prodhues vendorë.

Panairi kishte për qëllim ndërtimin e shkathtësive të studentëve të turizmit dhe lidhjen e tregut të turizmit me prodhimet vendore e organizata të teknologjisë, dizajnit dhe botës digjitale në përgjithësi.

Po ashtu, për herë të parë në ngjarje të këtij lloji, studentët kanë prezantuar hulumtimet për kompanitë pjesëmarëse dhe lidhjen e tyre me tregun e punës.

Nën ideimin dhe implementimin e prof. Evliana Berani, ligjëruese e dy lëndëve të turizmit në Kolegjin “Pjetër Budi”, panairi është organizuar i tëri nga studentët, si një përvojë e mirë e lidhjes së fushës teorike me atë praktike të punës gjatë studimeve.

Puna e studentëve është çmuar lart nga përfaqësues të “Pjetër Budit”, ndërkaq Leonora Kusari, këshilltare e lartë për bizneset e vogla dhe të mesme pranë Bankës Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim ka prezantuar mundësitë që ofrohen për zhvillimin e bizneseve në Kosovë. Panairi është vizituar nga qytetarë të shumtë.

” Nismat e tilla janë të rëndësishme për prodhimin e kuadrove dhe avanzimin e fushës së turizmit. Pa ndërlidhjen e botës akademike me kuadrot e tyre të ardhshme, hapsira dhe mundësitë për zhvillimin e sektorit të turizmit do të ishin shumë më të reduktuara”, ka thënë Ruzhdi Kurtishaj, Kryetar i Shoqatës së Turizmit të Kosovës.

Leave a comment