Tryezë për rolin e doganave në proceset integruese

Shteti i Kosovës duhet të punojë që të krijojë mjedis të favorshëm për zhvillimin e biznesit, tërheqjen e investimeve të huaja dhe zhvillim të qëndrueshëm ekonomik. Në këtë kontekst, Dogana e ka rolin e vet të rëndësishëm, si institucion i zbatimit të ligjit. Kështu u tha gjatë tryezës debatuese “Roli i doganave në proceset integruese”, të organizuar nga Kolegji “Pjetër Budi”, Prishtinë, më 26 janar.

Deputeti Muhamet Mustafa, kryetar i Komisionit për Zhvillim Ekonomik, Infrastrukturë, Tregti dhe Industri të Kuvendit të Kosovës tha se vendi duhet të ketë ekonomi konkurrente dhe zhvillim të qëndrueshëm ekonomik. Sipas tij, zhvillimi ekonomik i vendit është më primar sesa liberalizimi i vizave. Ndërkaq, si sfida për Doganën e Kosovës, Mustafa përmendi mbrojtjen nga politizimi, luftimin e kriminalitetit, mbrojtjen e interesit publik, zbatimin e kontrollit në tërë territorin e vendit dhe mbrojtjen e konkurrencës fer.

Safet Gërxhaliu, kryetar i Odës Ekonomike të Kosovës theksoi se Dogana nuk është vetëm komponentë ekonomike, por edhe politike, sociale e edukuese, ndërkaq ka edhe karakter integrues. Sipas tij, katër sfidat kryesore të shtetit të Ksovës janë Evropa, edukimi, ekonomia dhe ambientalizmi

Ismail Mehmeti, ligjërues në Kolegjin “Pjetër Budi” dhe udhëheqës i Programit Studimor Doganë dhe Shpedicion tha se Dogana e Kosovës është në mesin e institucioneve të zbatimit të ligjit që ka performuar më së miri në vendin tonë në periudhën e pasluftës.

“Dogana e Kosovës ka krijuar marrëdhënie partneriteti me shumë institucione doganore në regjion dhe më gjerë, duke qenë faktor me rëndësi integrues i vendit tonë”, theksoi Mehmeti.

Sipas tij, Dogana si institucion i zbatimit të ligjit determinon rrugën integruese të vendit nëpërmjet zbatimit të politikave ekonomike-tregtare, të cilat i harton qeveria.

Elez Syla, kyetar i Shoqatës së Agjencioneve Doganore të Kosovës pati qasje kritike ndaj punës së Doganës, kurse Orhan Çeku, ligjërues në Kolegjin “Pjetër Budi” theksoi se ky institucion i arsimit universitar, si i vetmi institucion shqipfolës në Ballkan që ofron studime universitare për Doganë dhe Shpedicion, kontribuon në përgatitjen e kuadrove të profesionalizuar në fusha specifike dhe të domosdoshme për zhvillim ekonomik të vendit.

Në emër të Kolegjit “Pjetër Budi”, pjesëmarrësit i përshëndeti Evliana Berani, prodekane për Çështje Akademike. Tryeza debatuese u organizua me rastin e Ditës Ndërkombëtare të Doganave. Ligjëruesei Ismail Mehmeti tha se kjo ditë reflekton standarde që Organizata Botërore e Doganave i ka vendosur dhe duhet të plotësohen nga doganat e vendeve anëtare dhe atyre që pretendojnë të jenë vende anëtare, siç është rasti i Kosovës.

Në vitin 1953 në Bruksel është mbajtur seanca konstituive e Këshillit për Kooperim Doganor. Në seancën inauguruese kanë marrë pjesë përfaqësuesit e 17 vendeve themeluese. Ky institucion në vitin 1994 ndryshoi emërtimin dhe tash quhet Organizata Botërore e Doganave. 26 Janari çdo vit shënohet si Dita Ndërkombëtare e Doganave.

Leave a comment