Loading

Korrupsioni është një sëmundje. Nëse jetoni gjatë me korrupsionin, mësoheni me të. Një shoqëri e fuqishme, me energjinë e të rinjve mund të ndihmojë që qasja në vend të ndryshojë për të mirë. Kështu tha të mërkurën, në një ligjëratë para studentëve të Kolegjit “Pjetër Budi” Andrew Russell, Koordinator i OKB-së për Zhvillim dhe Përfaqësuesi i Përhershëm i UNDP-së në Kosovë.

“Në një kontekst tjetër, në një vend tjetër, një shoqëri vibrante ku rinia ishte forca shtytëse dhe kishte mundësi ta shpreh veten në mënyrë jo të dhunshme, është dëshmuar që kanë ndihmuar të ndryshojë qasja kulturore”.

Russell foli për zhvillimin njerëzor dhe ekonomik në Kosovë, duke u fokusuar në mundësitë për reduktimin e varfërisë dhe papunësisë.

“Pse kaq shumë varfëri në Kosovë? Keni varfëri, sepse keni korrupsion, sepse ilaçi nuk po gjendet, sepse sistemi arsimor nuk po sjell rezultatet e pritura, sepse lidershipi politik që ju e keni votuar beson që prioritet për Kosovën duhet të jetë ndërtimi i rrjetit të rrugëve dhe lidhja me rajonin”, u shpreh Russell. Sipas tij, mund të investohen miliona në rrugë, por nuk gjenden 200 mijë euro për ndihmë juridike falas për qytetarët që kanë nevojë për një gjë të tillë.

“Ju mund të voziteni rrugëve të bukura, por nëse keni nevojë për ndihmë juridike, mund të mos e siguroni atë”.

Ai foli edhe për probleme të tjera, me të cilat është ballafaquar Kosova që nga viti 1999.

“Procesi i gjatë i mbikëqyrjes ndërkombëtare dhe zhvillimet pas saj nuk ju kanë ndihmuar shumë në zhvillimin e vendit. Në vitin 1999 OKB ka instaluar misionin e saj administrativ në Kosovë dhe në Timorin Lindor. Por, Timori Lindor ka ecur me hapa shumë të shpejtë, sidomos nga viti 2003”.

Sipas Russell, mosqenia ende pjesë e OKB-së ka bërë që Kosova të mos ketë mundësi të shfrytëzojë shumë benefite. “Të jesh shtet i barabartë me të tjerët në kuadër të OKB-së nënkupton edhe mundësinë e përdorimit të fondeve të ndryshme për nevoja të ndryshme”.

Russell ka folur edhe për aktivitetet e UNDP-së, duke përmendur si projekte mjaft të rëndësishme dhe të suksesshme ato që kanë të bëjnë me ngritjen e kapaciteteve njerëzore dhe sjelljen në agjendë për herë të parë të çështjeve si korrupsioni, varfëria e zhvillimi njerëzor.

“Qëllimi ynë është që t’i ndihmojmë njerëzit e Kosovës, që t’i ngrisim kapacitetet në fusha të ndryshme, për një zhvillim të shpejtë”, theksoi Russell.

 

Ligjërata e Russellit u zhvillua në kuadër të Klubit të Debatit të Kolegjit “Pjetër Budi”, që funksionon tash pesë vjet me qëllim gjenerimin e debatit në shoqëri dhe kultivimin e mendimit kritik te studentët.

Share this:

Leave a comment

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

https://twitter.com/pjeter_budi
https://www.instagram.com/kolegjipjeterbudi/