Profesori i Kolegjit “Pjetër Budi” në Forumin Evropian të Turizmit

Profesori i Kolegjit “Pjetër Budi”, Hysen Sogojeva ka marrë pjesë në Forumin Evropian të Turizmit, i cili është mbajtur në Napoli të Italisë. Përveç Sogojevës, i cili udhëheq Divizonin e Turizmit në Ministrinë e Tregtisë dhe Industrisë të Kosovës, pjesë e forumit ishte edhe zëvendësministri i MTI-së, Cuneyd Ustaibo.

Edicioni i 13-të i forumit kishte për temë turizmin dhe kulturën në Evropë dhe pjesëmarrësit diskutuan për gjetjen e mënyrave për zhvillimin e mëtejmë të industrisë së turizmit dhe shtimin e vendeve të punës në këtë sektor. Po ashtu, u trajtuan tema si digjitalizimi dhe inovacionet në turizëm, qasja në destinacione, si dhe trajnimi dhe edukimi në turizëm.

Përveç ministrave të turizmit të shteteve të BE-së dhe shteteve të tjera të Evropës, në forum të pranishëm ishin edhe komisionerët e Bashkimit Evropian për turizmin dhe kulturën.

“Pjesëmarrja e Kosovës atje ishte shumë e rëndësishme. Me kolegët e shteteve të tjera diskutuam mundësitë për rritjen e bashkëpunimit, në funksion të zhvillimit të turizmit”, tha prof. Sogojeva për Newsletter-in e “Pjetër Budit”.

Ndërkaq zëvendësministri Ustaibo në fjalimin e tij ka theksuar se momentalisht në botë ka rreth 1.2 miliard turistë, e deri në vitin 2030 ky numër do të ngritet në 2.5 miliardë. “Për këtë edhe Kosova do të ketë ngritje në turizëm, duke u bazuar në këto statistika, si dhe duke i ngritur kapacitetet turistike dhe duke krijuar mundësi për zhvillimin e ndërmarrjeve të vogla dhe të mesme, si shtyllë e rëndësishme e zhvillimit ekonomik”, ka theksuar ai.

Sipas Usatibos, një ndër qëllimet e zhvillimit ekonomik të Kosovës është edhe zhvillimi i turizmit regjional.“Krijimi i një pakoje turistike të përbashkët ndërmjet Kosovës, Shqipërisë, Maqedonisë, Malit të Zi, Serbisë dhe të tjerëve do të mund ta ngriste kapacitetin e turistëve dhe do të krijonte mundësi për zhvillim ekonomik të qëndrueshëm, për arsye se turizmi është një industri, që kërkon bashkëpunim për të pasur zhvillim”. Në këtë forum ka pasur bashkëbisedime bilaterale të delegacionit të Kosovës me delegacionet e Shqipërisë, Turqisë, Italisë e Kroacisë, me të cilët është diskutuar për bashkëpunim në fushën e turizmit.

Leave a comment