Skip to main content

Kolegji Pjetër Budi

Kolegji “Pjetër Budi” është riakredituar për pesë vitet e ardhshme, në përputhje me vendimin përkatës dhe kualifikimet e aprovuara në Kornizën Kombëtare të Kualifikimeve (KKK).

Në kuadër të kualifikimeve të aprovuara bëjnë pjesë edhe Furrtar dhe Ndihmës kuzhinier, të klasifikuara në nivelin III të Kornizës Kombëtare të Kualifikimeve, me llojin e kualifikimit profesional (D) dhe me 10 kredi të Arsimit dhe Aftësimit Profesional (AAP).

Sipas kapaciteteve të përcaktuara, institucioni mund të realizojë procesin e aftësimit profesional për një vit kalendarik, përmes katër grupeve. Secili grup mund të përfshijë maksimalisht 15–16 kandidatë, duke mundësuar aftësimin e rreth 60–64 kandidatëve brenda një viti.

Këto kualifikime synojnë të krijojnë mundësi për aftësimin profesional të kandidatëve dhe zhvillimin e kompetencave praktike në fushat përkatëse, në funksion të përgatitjes së tyre për tregun e punës.

Përveç këtyre kualifikimeve, Kolegji “Pjetër Budi” ka përfituar edhe akreditimin për profilet Teknik i dhëmbëve dhe Asistent Dentar. Aktualisht, institucioni është në pritje të pajisjeve profesionale që do të sigurohen përmes donacionit nga RCF-ja, të cilat do të shërbejnë për krijimin e kushteve të nevojshme për zhvillimin e mësimit praktik në këto profile.

Riakreditimi dhe aprovimi i kualifikimeve të reja përbëjnë një hap të rëndësishëm në zhvillimin e ofertës së Kolegjit “Pjetër Budi”, duke forcuar angazhimin e institucionit për ofrimin e mundësive të reja të aftësimit profesional dhe përgatitjen e kandidatëve me kompetenca të përshtatshme për nevojat e tregut të punës.