Medalja për Guxim Qytetar u nda të martën nga Kolegji “Pjetër Budi” për qytetarë të Republikës së Kosovës të cilët kanë treguar guxim dhe heroizëm në situata të vështira. Në një ceremoni të veçantë, me medalje u nderuan zjarrëfikësi Isak Pllana nga Brigada Profesionale Zjarrfikëse e Prishtinës, i cili bashkë me kolegët shpëtoi jetën një qytetari që ishte bllokuar në një ashensor në Lagjen Ulpiana të kryeqytetit, pastaj Ilaz Emini nga fshati Hallaq i Vogël i Lipjanit që shpëtoi jetën e tri vajzave të vogla që kishin rënë aksidentalisht në kanalin me ujë tre metra të thellë dhe minatorët e Minierës së Artanës, Sadik Gashi e Ujup Llapashtica, të cilët shpëtuan nga mbytja në lumë të moshuarin Tahir Makolli.
“Pjetër Budi” vendosi t’i nderojë këto personalitete dhe organizata për shkak se u dalluan me veprat e tyre fisnike, me guximin dhe heroizmit prej kryeprotagonistësh të ngjarjeve që u përmbyllën me shpëtim të jetës së njerëzve.
“Kësaj radhe u përqëndruam në ndarjen e Çmimit për Guxim Qytetar, por ne do të vazhdojmë të identifikojmë, t’i shpërblejmë dhe t’u shprehim mirënjohje heronjve që ndërtojnë përditshmërinë tonë, atyrë që po i kontribuojnë njeriut dhe komunitetit në përgjithësi”, tha Besim Ajeti, Kryetar i Bordit të Kolegjit “Pjetër Budi”.
Sipas tij, qëllimi i aktiviteteve si këto është që studentëve t’u prezentohen personalitetet e përditshmërisë kosovare që shpesh janë në hije, por që kryejnë vepra të mëdha, vepra që mund të jenë model për secilin.
“Gjatë 13 vjetëve të fundit është hera e parë që na ndahet një çmim”, deklaroi Latif Zeka, Komandant i Brigadës Profesionale Zjarrfikëse të Prishtinës. Sipas tij, vetëm gjatë vitit të kaluar punonjësit e kësaj brigade kanë interventuar në mbi 1600 raste, kurse sivjet vetëm gjatë dy muajve të parë zjarrfikësit e kryeqytetit të Kosovës janë përfshirë në rreth 200 intervenime emergjente.
Ndërkaq Ilaz Emini, i shpërblyeri tjetër, ka shpjeguar ngjarjen e cila ka mundur të përfundojë tragjikisht. “I pashë rastësisht dhe natyrisht u hodha menjëherë në ujë. Më ndihmoi edhe një bashkëfshatar. I shpëtuam të tri vajzat dhe pastaj I dërguan në shtëpi”.
Minatorët e Minierës së Artanës Sadik Gashi e Ujup Llapashtica, që bashkë me kolegë ia shpëtuan jetën të moshuarit Tahir Makolli, gjithashtu u nderuan në ceremoni. Ata, bashkë me inxhinierin e minierës, Hasim Berisha, folën edhe për natyrën e punës që bëjnë dhe historikun e minierës.
Në emër të studentëve dhe stafit akademik çmimet u ndanë nga kryetarja e Organizatës Studentore të Kolegjit “Pjetër Budi”, Emirë Llapashtica, themeluesi i Kolegjit, Besim Ajeti dhe Dekani, prof. dr. Nuhi Rexhepi.