Kolegji “Pjetër Budi” ndan bursa për anëtarët e Shoqatës së të Verbërve të Kosovës

Kolegji “Pjetër Budi”, Prishtinë ua ka ndarë katër bursa të plota studimi anëtarëve të Shoqatës së të Verbërve të Kosovës. Nëpërmjet një marrëveshjeje bashkëpunimi të nënshkruar ndërmjet themeluesit të Kolegjit “Pjetër Budi”, z. Besim Ajeti dhe drejtorit ekzekutiv të Shoqatës së të Verbërve, Mexhit Foniqi, të përzgjedhurve nga shoqata iu jepet mundësia që të studiojnë në ndonjërin nga programet akademike që ofron ky institucion i arsimit universitar.

Z. Foniqi e vlerësoi shumë të rëndësishme iniciativën e “Pjetër Budit” dhe qëllimin e mirë që t’u ofrohet arsim universitar edhe kësaj kategorie të shoqërisë. Ndërkaq, z. Ajeti tha se kjo iniciativë duhet të shërbejë për sensibilizimin e institucioneve të tjera të arsimit të lartë, që të krijojnë dhe ofrojnë mundësi studimi për personat me nevoja të veçanta të kategorive të ndryshme.

Shoqata e të Verbërve të Kosovës është organizatë joqeveritare, e cila angazhohet për mbrojtjen, përfaqësimin dhe afirmimin e interesave dhe të drejtave të qytetarëve të verbër pa dallim moshe, gjinie, përkatësie etnike dhe fetare.

Kolegji “Pjetër Budi”, ndërkaq, që nga themelimi ka aplikuar politika gjithëpërfshirëse në arsim për kategori të ndryshme të shoqërisë, që kanë përfunduar ose i vazhdojnë studimet në këtë institucion.

Leave a comment