“Shpresoj që të mos ketë zgjedhje si këto, jo për nga cilësia e zgjedhjeve, sepse ajo ishte në nivel, por për nga vështërsitë dhe rrethanat në të cilat u mbajtën ato”, tha kryetarja e KQZ-së, Valdete Daka, gjatë debatit me studentët e Kolegjit “Pjetër Budi”
Kryetarja e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (KQZ), Valdete Daka ka thënë gjatë një bashkëbisedimi me studentët e Kolegjit “Pjetër Budi” se koston e zgjedhjeve po e rrisin keqpërdoruesit.
“Për një vend të varfër si Kosovë, kostoja e zgjedhjeve është shumë e lartë. Problem kryesor për këtë është mosbesimi”, tha Daka. Ajo mori shembull kartat identifikuese për vëzhguesit dhe fletëvotimet të cilat, sipas saj, kushtojnë më shumë se në vendet tjera, sepse për t’u shtypur ato nevojiten kritere më të larta të sigurisë.
“Në vendet demokratike ato shtypen në letër të thjeshtë. E te ne, për shkak të mosbesimit dhe parandalimit të keqpërdorimeve, si ato që kanë ndodhur në të kaluarën, ne për fletëvotime është dashur që të shtojmë katër kritere të sigurisë, gjë që e ka rritur koston e tyre”, theksoi Daka.
Sipas saj, për zgjedhjet e 3 nëntorit është dashur të shtypen 30 mijë bexha, gjë që ka kushtuar mbi 100 mijë euro. “Në rrethana normale, aty ku ka besim, bexhat e fletëvotimet do të shtypeshin në letër të thjeshtë. Nuk do të kishte pasur nevojë as për 30 mijë vëzhgues”, tha Daka.
Duke folur për votuesit jashtë Kosovës, Daka tha se mund të ndodhë që me ndryshimin e ligjit për zgjedhjet, personat që jetojnë jashtë Kosovë të kenë mundësinë të votojnë vetëm për zgjedhjet parlamentare, e jo edhe për ato lokale.
Duke folur, ndërkaq, për mundësinë e vendosjes së kamerave në vendvotime, kryetarja e KQZ-së u shpreh se ai është një projekt i kushtueshëm. “Kamerat nuk e zgjidhin problemin. Për mua më e rëndësishme është që qytetarët të vetëdijesohen”.
E pyetur se deri kur do të votojnë të vdekurit në Kosovë, Daka u përgjigj se kjo do të ndodhë për aq sa të gjallët do të votojnë në emër të tyre.
Ajo mori shembull shtetet, në të cilat nuk ka keqpërdorime në zgjedhje, pavarësisht se emrat e personave të vdekur gjenden në listat e votuesve, ndërkaq shtoi se edhe vendet e rajonit, si Mali i Zi e Maqedonia janë më përpara se Kosova, sa i përket kulturës së votës.
Sado që procesin zgjedhor të 3 nëntorit e vlerësoi të suksesshëm, Daka tha se megjithatë ishte më i vështiri që është mbajtur ndonjëherë në Kosovë.
“Shpresoj që të mos ketë zgjedhje si këto, jo për nga cilësia e zgjedhjeve, sepse ajo ishte në nivel, por për nga vështërsitë dhe rrethanat në të cilat u mbajtën ato. Ato do të mbahen në mend si zgjedhje që u organizuan nën hijen e dialogut Kosovë-Serbi, që ka rezultuar me vështirësi e presione shtesë në organizatorë”.
Bashkëbisedimi i Dakës me studentët u organizua në kuadër të Klubit të Debatit të Kolegjit “Pjetër Budi”.