Kolegji “Pjetër Budi”, megjithëse për nga mosha i ri, është institucion me shumë interes që, po ndërton një traditë të shkëlqyer në fushë të Doganave dhe Shpedicionit, Menaxhimit të Turizmit dhe Hotelerisë, Administrim Biznesit dhe Sigurimeve, është një institucion i nderuar, i dashur për të gjithë, veçanërisht mikpritës për të rinjtë dhe të rejat e vendit.
Për këto tri vite, në auditorët e Kolegjit “Pjetër Budi” është skalitur portreti i doganierit, i punonjësit të sigurimeve, i specialistit të turizmit, portreti i biznesmenit të suksesshëm, që kanë krijuar një shumë si vlerash.
Brezi juaj nga viti në vit ka shënuar përparim duke lëvizur drejt së ardhmes, duke synuar horizonte e lartësi të reja në fushë të dijes për të mbështetur të ardhmen, duke u bërë shtysë i rëndësishëm për kultivimin e vlerave fillestare të studiuesve të rinj, që do të bëjnë emër në fushat e studimit që ndjekin. Rezultatet e punës suaj janë barometri që matë vlerat e padiskutueshme dhe që mund të japë alternativa të reja për të ardhmen, sepse universiteti prodhon, shqyrton dhe shndërron kulturë nëpërmjet punës studimore, mësimdhënies dhe mësimnxënies.
Marrja e një specialiteti në Kolegjin “Pjetër Budi” në programet studimore që keni ndjekur e ka lënë të lirë studentin të zgjedhë, gjatë dhe pas jetës universitare, modele dhe drejtime formuese sipas kërkesave të tregut.
Gjatë gjithë këtyre viteve jemi përpjekur t’ju krijojmë kushte sa më të mira pune në planin studimor, kemi trajtuar me ndjeshmërinë më të madhe shqetësimet e tuaja dhe kemi vepruar për zgjidhjen e tyre, jemi përpjekur t’ju ofrojmë shërbime lehtësuese për të ngritur nivelin arsimor, shkencor e kulturor, kemi organizuar aktivitete që plotësojnë argëtimin në format e tij më të larmishme, me një fjalë, institucioni ynë ju ka siguruar juve, studentëve të këtij brezi realizim normal në rrafshin profesional, intelektual, personal e shoqëror.
Emri i nderuar i Kolegjit, përbërja e profesoratit si dhe afirmimi i atyre që kanë diplomuar në vitet e mëparshme dhe tani, ngjallin shpresë, besim e respekt, ata nuk u zhgënjyen sikundër nuk do të zhgënjeheni ju dhe ata që do të vijnë pas jush, sepse shpirti i juaj krijues përherë ka gjeneruar dije e kulturë. Ajo që e shquan këtë brez pas tre vjetësh pune, është se ne shohim një bilanc solid tuajin dhe të këtij institucioni të rëndësishëm – ju mirëpresim në studimet pasuniversitare.
Kolegji “Pjetër Budi” në vijimësi do të tregojë qëndrueshmëri dhe ruan rezerva për të ushtruar rolin e vet për të rrezatuar informacion shkencor, arsimor e kulturor, për të riformuluar vlerësimet në kushtet e një sistemi të hapur demokratik.
Për tre vjet pune e studimi në këtë Kolegj, i keni dhënë jetë dhe emër të nderuar institucionit ku keni studiuar – për të gjitha këto ju falënderojmë!
(Thekse nga fjalimi i Dekanit të Kolegjit “Pjetër Budi”, Prof. Dr. Nuhi Rexhepi, mbajtur në ceremoninë e diplomimit të studentëve)