Loading

Kompanitë e mëdha në rajonin e Pejës shpenzojnë për marketing përgjysmë më shumë para se ato të mesmet. Kështu ka dalë të jetë sipas rezultateve të një hulumtimi të realizuar nga studentët e Kolegjit “Pjetër Budi”, në kuadër të punës hulumtuese-shkencore.

Qëllimi i hulumtimit ishte që të shihet se sa këto kompani shpenzojnë për marketing apo edhe sa i japin rëndësi marketingut, për të cilin kompanitë e mëdha botërore shpenzojnë miliona.

Kështu kompanitë e mëdha, përgjegjësit e marketingut të të cilave janë anketuar, shpenzojnë nga 2.5-10.5 për qind të buxhetit vjetor për marketing. 80 për qind e tyre mendojnë se marketingu ndikon “shumë” në reputacionin dhe suksesin e tyre, ndërkaq 20 për qind “mesatarisht”.

Të gjitha kompanitë e shfrytëzojnë radion si medium për reklamim, ndërkaq 80 për qind e tyre edhe ndonjë formë tjetër (TV, internet e gazeta).

Kompanitë e mesme shpenzojnë 0.5-5 për qind të buxhetit vjetor për marketing. Ato konsiderojnë marketingu ndikon “shumë” dhe “mesatarisht” në reputacionin e tyre (nga 40 për qind), ndërkaq 20 për qind konsiderojnë se marketingu ndikon pak.

Ndryshe nga kopmpanitë e mëdha, të mesmet janë të fokusuara më shumë në marketingun nëpërmjet internetit (100 për qind), për të vazhduar me TV, radio e gazeta.

Disa nga kompanitë më të njohura në botë shpenzojnë rreth 15 për qind të buxhetit vjetor për marketing.

Autorët e hulumtimit rekomandojnë se, duke pasur parasysh se të gjithë të anketuarit përgjegjës për marketingun nëpër kompani ishin meshkuj, shtrohet nevoja që në këtë sektor të punësohen edhe femra. Po ashtu, rekomandohet që përgjegjës për marketing të punësohen edhe të rinj në moshë, të cilët e njohin këtë lëmi.

Hulumtimet në terren janë pjesë përbërëse e rëndësishme e programeve studimore të Kolegjit “Pjetër Budi” dhe e punës praktike të studentëve.

Share this:

Leave a comment

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

https://twitter.com/pjeter_budi
https://www.instagram.com/kolegjipjeterbudi/