Haradinaj: Thaçi s’ka argument për të qeverisur më gjatë

Kryeministri Hashim Thaçi dhe qeveria e tij nuk kanë çfarë të ofrojnë më, andaj vendit i duhet një qeveri tjetër. Kështu ka thënë të enjten, në një debat me studentët e Kolegjit “Pjetër Budi”, kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Ramush Haradinaj.

Haradinaj ka thënë se kësaj gjenerate të udhëheqjes së vendit i janë harxhuar argumentet qeverisëse dhe se shkuarja në opozitë do t’u bënte mirë.

“Argumentet për me qeverisë më shumë, janë harxhuar. Mungesa e vullnetit për të krijuar vlera të reja e ka sjellë gjeneratën e sotme në harxhim të argumenteve. Qeveria Thaçi më shumë ka punuar kundër vetvetes por, më e keqja është se nuk ka arritur të krijojë punë të mirë të qeverisë së ndërsjellë”, ka thënë Haradinaj.

Duke folur për premtimet e fundit nga kryeministri Thaçi, kreu i AAK-së ka thënë se ato i sheh si veprime në urgjencë.

Haradinaj ka theksuar se qeveria e ardhshme duhet të jetë pa PDK-në, me një mënyrë tjetër të qeverisjes.

“Do të ishte e shëndetshme për Kosovën, një ndryshim sa më në themel i qeverisjes, pra, që ky establishmenti politik të shkojë në opozitë. Mirë është të shkojmë në qeverisjen e ardhshme njerëz tjerë, që janë për ndryshime”.

I pari i AAK-së është shprehur se e ka planin e tij për qeverisje të vendit për secilin sektor dhe ka theksuar se me qeverisjen e tij synon që standardi i jetës së qytetarëve të Kosovës, të jetë i njëjtë me atë të vende të Evropës Qendrove dhe Perëndimore.

Haradinaj ka kritikuar edhe partitë opozitare që për mos përkrahje të mocionit për rrëzimin e qeverisë. Ai ka thënë se kolegët e tij opozitarë me vetëdije apo jo i kanë krijuar një teren të cilin po e shfrytëzon Thaçi.

Sipas liderit të AAK-së, çështja e mandatit të EULEX-it, dhe Tribunali për UÇK-në, duhet të përfundojnë gjatë prillit, në mënyrë që zgjedhjet të mbahen “që në javën e par të qershorit”.

Haradinaj u ka bërë thirrje studentëve që të marrin pjesë në zgjedhje dhe të votojnë sipas vullnetit të tyre. “Votoni. Nuk duhet humbur atë ditë që të rrini në shtëpi, dilni votoni. Pa marrë parasysh për cilën parti jeni, ju duhet të votoni”, ka thënë ai.

Leave a comment