U mbajt konferenca shkencore ndërkombëtare ”Procesi i integrimit evropian të vendeve të Ballkanit Perëndimor”

U mbajt konferenca shkencore ndërkombëtare ”Procesi i integrimit evropian të vendeve të Ballkanit Perëndimor”
I ka përmbyllur punimet në Kolegjin “Pjetër Budi” konferenca shkencore ndërkombëtare
 ”Procesi i integrimit evropian të vendeve të Ballkanit Perëndimor”. Më se 50 studiues nga vendi dhe rajoni u paraqitën me kumtesat e tyre shkencore në temat e konferencës, si zhvillimi i doganave dhe shpedicioneve në perspektivën e integrimeve evropiane, zhvillimi i biznesit, turizmit, hotelerisë, industrisë së sigurimeve etj. Po ashtu, studiuesit referuan edhe për tema si investimet e huaja, zhvillimi i resurseve njerëzore, legjislacioni i vendeve të Ballkanit Perëndimor dhe i BE-së, luftimi i krimit të organizuar dhe korrupsionit, transparenca, dialogu dhe bashkëpunimi rajonal, politikat migruese, liberalizimi i vizave, procesi i riatdhesimit etj.
Në hapje të konferencës, pjesëmarrësit i përshëndetën Ministri në detyrë i Tregtisë dhe Industrisë, Bernard Nikaj, Zëvendësministri në detyrë i Integrimeve Evropiane, Gëzim Kasapolli dhe Sekretar i Parë i Ambasadës së Shqipërisë në Kosovë, Brunoi Rexhaj. Nikaj u kryesisht u fokusua në Marrëveshjen e Stabilizim-Asociimit (MSA) dhe përfitimet e qytetarëve të Kosovës nga ajo. “Negocimi i MSA’së ndikon edhe në rritjen e investimeve të huaja. Kosova e ka negociuar këtë marrëveshje duke u bazuar plotësisht në kapacitetet e veta”, tha ai.
Kurse, Kasapolli tha se Kosova ka dhënë dëshmi të qarta se është serioze në procesin e integrimit në BE. Ai foli edhe për procesin e liberalizimit të vizave dhe theksoi se Kosova i ka plotësuar të gjitha kushtet. “Koha e migrimit jo të rregullt dhe azilit ka kaluar. Kosova tash është vend i sigurt, me zhvillim gradual ekonomik dhe perspektivë evropiane”, theksoi ai.
Rexhaj, ndërkaq, u shpreh se rruga e Shqipërisë dhe e Kosovës është e përbashkët drejt Intergimeve Evropiane, “Edhe pse Shqipëria është disa faza më të avancuara sa i përket integrimit, sërisht rruga e dy vendeve tona drejtë BE-së, është një trend i përbashkët që në një të ardhme të afërt të jemi bashkarisht pjesë e familjes së madhe evropiane” theksoi ai.. Me rastin e hapjes së konferencës, Nuhi Rexhepi, Dekan i Kolegjit “Pjetër Budi”, theksoi se puna kërkimore –shkencore ka qenë gjithmonë një ndër synimet më të rëndësishme të këtij institucioni, duke shndërruar atë, krahas punës mësimore, në një qendër të rëndësishme hulumtuese në fushat që mbulon (Dogana, Turizëm, Administrim Biznesi dhe Sigurime).
Kjo konferencë shkencore ndërkombëtare, tashmë tradicionale, organizohet në kuadër të aktivitetit shkencor-hulumtues të Kolegjit “Pjetër Budi”, me qëllim që studiuesve t’iu jepet mundësia që të kontribuojnë me punët e veta shkencore, ndërkaq opinioni të njihet me propozimet dhe zgjidhjet që kanë të bëjnë me shumë çështje, në perspektivën e integrimeve evropiane.

Leave a comment