Mustafa: Çështja e krijimit të Gjykatës Speciale është e panegociueshme

Çështja e krijimit të Gjykatës Speciale është e panegociueshme. Kështu tha të martën, në një debat me studentët e Kolegjit “Pjetër Budi” kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Isa Mustafa.

“Çështja e Gjykatës Speciale nuk negociohet – ose do ta bëjë Këshilli i Sigurimit me propozim të Rusisë, ose do ta bëjmë ne në Kuvendin e Kosovës. Edhe pse nuk na pëlqen, më mirë është ta marrim (vendimin) ne, sesa Këshilli i Sigurimit”, tha Mustafa.

Sa i përket ligjit për veteranët e luftës, tashmë të miratuar, ai tha se në momentin që LDK merr qeverisjen, do ta rikthejë atë dhe disa ligje tëtjera në Kuvend. “Pjesë e këtij ligji duhet të jenë të gjithë ata që kanë dhënë kontribut për lirinë e vendit”, theksoi ai.

Kurse, lidhur me mospërkrahjen e mocionit të AAK-së nga LDK për rrëzimin e Qeverisë Mustafa tha se LDK ka konsideruar se opozita nuk i ka numrat dhe, në anën tjetër, Kuvendi duhej marrë vendim për procese të rëndësishme.

Edhe pse kishte deklaruar se këtë javë do të shpërbëhet Kuvendi, Mustafa u shpreh se këtë javë nuk pret që do të ndodh kjo, por pret që të merren vesh pas miratimit të Ligjit për Zgjedhjet dhe zgjatjes së mandatit EULEX-it.

Për EULEX-in tha se nuk ka nevojë të kundërshtohet zgjatja e mandatit të tij, sepse ky mision bërë një pjesë të mirë të punës, duke u marrë me atë pjesë të cilën nuk ka mundur të merret gjyqësori vendor.

Mustafa theksoi se zgjedhjet duhet të mbahen në qershor, e jo të shtyhen. Lideri i LDK-së nuk pranoi se LDK e ka humbur Prishtinën. “Unë dhe LDK në Prishtinë kemi shumë më shumë vota se subjektet e tjera, mirëpo gjatë zgjedhjeve të fundit aty ndodhi një koalicion joformal, të tjerët kundër nesh”.

Mustafa foli edhe për arrestimin e inspektorëve në Komunën e Prishtinës, duke thënë se drejtësia është ajo që duhet ta thotë fjalën e vet. Megjithatë, ai theksoi se në Kosovë ka pasur gjëra edhe më të rëndësishme se arrestimi i inspektorëve siç është vjedhja e dhomës së dëshmive, skandali me pasaporta etj., porse në ato raste “nuk kanë ndodhur arrestime të tilla të bujshme”.

Para studentëve të Kolegjit “Pjetër Budi”, Mustafa shpalosi ofertën zgjedhore të LDK-së, duke thënë se kjo parti i ka katër orientime themelore për katër vjet qeverisjeje.

“Ndryshimet në zhvillimin ekonomik, reforma në arsim dhe shëndetësi, si dhe integrimi në BE janë vlerësuar si pika kryesore të planit tonë për qeverisje të vendit”, theksoi ai.

Leave a comment