Më se 150 studiues në konferencën shkencore të bashkorganizuar nga “Pjetër Budi”

Më se 150 autorë, me rreth 80 punime shkencore, kanë marrë pjesë në konferencën ndërkombëtare me temë “Roli i arsimit dhe shkencës në zhvillimin ekonomik të vendeve të regjionit” e cila është mbajtur në Ulqin të Malit të Zi, bashkorganizuar nga Instituti për Hulumtime Shkencore dhe Zhvillim nga Ulqini me Kolegjin “Pjetër Budi” dhe institucione të tjera. Studiuesit pjesëmarrës kanë qenë nga Kosova, Shqipëria, Maqedonia, Mali i Zi, Serbia e Hungaria, ndërkaq “Pjetër Budi” është përfaqësuar nga profesorët Seadin Xhaferi, Naser Raimi, Haqif Arifi, Fitim Maçani e Elizabeta Murati.

Qëllimi i konferencës ishte që, nga këndi shkencor të analizojë përpjekjet, sfidat dhe mundësitë e e zhvillimit ekonomik të vendeve të rajonit , respektivisht fokusimi i qartë dhe thelbësor i kontribuesve që nëpërmjet punimeve shkencore të trajtojnë temën në aspektin shumëdimensional, duke i përfshirë të gjitha sferat e jetës shoqërore dhe ekonomike.

Konferenca ka bërë bashkë shkencëtarë, akademikë dhe ekspertë të fushave të ndryshme me qëllim që të gjithë të mund t'i zgjerojnë njohuritë e tyre specifike dhe të përgjithshme dhe të shkëmbejnë ide dhe mendime mbi rolin e arsimit dhe shkencës në zhvillimin ekonomik. Po ashtu, konferenca ishte një forum ndërdisiplinor për studiuesit, praktikantët dhe profesorët pjesëmarrës, por edhe për hulumtuesit, pa lënë anash diskutimet për inovacionet, tendencat, shqetësimet dhe sfidat e hasura në krijimin e një shoqërie moderne dhe zgjidhjet e mundshme të investimeve për zhvillimin ekonomik.

Punimet e prezantuara iu takonin fushave të ndryshme, si shkencave ekonomike, juridike, politike, marrëdhënieve ndërkombëtare, diplomacisë, gazetarisë, teknologjisë informative dhe komunikuese, integrimeve evropiane etj.

Leave a comment