Fjalimi nga studenti Ludvik Kërquku

Kur e sjell ndërmend që iu kemi mbijetuar ligjëratave, punimeve seminarike, kollokuiumeve e provimeve, mendoj që duhet të jemi shumë krenarë që kemi arritur deri këtu!
Të nderuar kolegë, prindër, profesorë dhe staf menaxhues i kolegjit, mirë se keni ardhur në ceremoninë tonë të diplomimit. Unë jam i nderuar të jem këtu para jush, si kryetar i Organizatës Studentore. Për momentin e kam të vështirë të përmbledh tre vitet e shkuara. Vite me shumë suksese, të arritura, por edhe dështime.
Shumë orë të gjata në bife duke u “përgatitur” për ligjërata dhe provime, por edhe zhurmë në ligjërata e shumë klikime në telefona. Nuk e di për ju kolegë, por unë jam gëzuar shumë kur telefoni im i mençur u bë një ndër shokët e mi më të ngushtë gjatë studimeve.
Nëse hyje në amfiteatër dhe ishte qetësi, diçka nuk ishte në rregull! Shumica ishim në Facebook. Natyrisht, jo edhe profesorët 🙂 Ndonjëherë na ndodhte që aty t’i lexojmë edhe njoftimet që na vinin nga “Pjetër Budi”, por shumë më të lehtë e kishim të lajmërohemi në administratë dhe të pyesim për çka ishte ai njoftimi në email 🙂 Por, më të rëndësishmit ishin kodet! Qasja në rezultate edhe prej shtëpisë na e lehtësonte jetën, por më e bukura ishte kur e humbin kodin dhe duhej marrë një tjetër. Dhe, pa pyetur mirë në administratë për ndonjë rezultat, përgjigja ishte: “Shihe në kod”! Nuk kishin faj. Dinim edhe ta tepronim. Kodin e wirelessit nuk e kishim problem ta mbanim mend. E dinim të gjithë. Ndryshe prej përgjigjeve në teste.
Si sot e kujtoj ditën kur u regjistrova në “Pjetër Budi”. “Isha skeptik, por më ka befasuar pozitivisht”, më tha dje një profesor.
Edhe unë jam i befasuar për të mirë, por edhe shumë i kënaqur për sukseset e arritura. I falënderoj të gjithë profesorët për ndihmën e tyre, menaxhmentin dhe shërbimin e studentëve. I falënderoj sidomos kolegët e mi, me të cilët kemi qenë pjesë e kësaj aventure të suksesshme.
Suksese!

Leave a comment