Doli nga shtypi numri i ri i revistës shkencore “Logos”

Ka dalë nga shtypi numri i ri, i gjashti me radhë, i revistës shkencore të Kolegjit “Pjetër Budi”, “Logos”. Revista përmban punime, në gjuhën shqipe dhe angleze, të cilat janë prezantuar në konferencën shkencore ndërkombëtare “Zhvillimi ekonomik si bazë për krijimin e vendeve të reja të punës”, organizuar nga “Pjetër Budi” muajin e kaluar. Punimet shkencore të prezantuara trajtojnë aspekte të ndryshme të lidhura me temën bosht – që nga roli i teknologjisë informative në zhvillim dhe punësim, menaxhimi strategjik i resurseve njerëzore dhe zhvillimi e ngritja e performancës së ndërmarrjeve publike, deri te ndikimi i ligjit në gjenerimin e vendeve të punës. Konferenca shkencore ndërkombëtare e Kolegjit “Pjetër Budi” është tradicionale dhe sivjet është organizuar në dhjetëvjetorin e punës akademike dhe shkencore të këtij institucioni. Me këtë rast është botuar edhe ky numër i revistës shkencore “Logos”.

 

Leave a comment