Loading

Gjenerata e re e studentëve të Kolegjit “Pjetër Budi” ka diplomuar të enjten, në një ceremoni solemne të organizuar në Sallën e Kuqe të Pallatit të Rinisë dhe Sporteve në Prishtinë. Studentët e diplomuar kanë përfunduar studimet në nivelet Bachelor e Master, në programet Doganë dhe Shpedicion, Administrim Biznesi, Menaxhim i Turizmit e Hotelerisë, Sigurime dhe Menaxhim i Sigurimeve.

Dekani i “Pjetër Budit”, Nuhi Rexhepi, në fjalimin e tij tha se gjatë studimeve në auditorët e këtij kolegji është skalitur portreti i doganierit, i punonjësit të sigurimeve, i specialistit të turizmit, portreti i biznesmenit të suksesshëm, që kanë krijuar një shumësi vlerash.

“Emri i nderuar i kolegjit, përbërja e profesoratit si dhe afirmimi i atyre që kanë diplomuar në vitet e mëparshme dhe tani, ngjallin shpresë, besim e respekt, ata nuk u zhgënjyen sikundër nuk do të zhgënjeheni ju dhe ata që do të vinë pas jush, sepse shpirti i juaj krijues përherë ka gjeneruar dije e kulturë. Ajo që e shquan këtë brez pas tre vjetësh pune, është se ne shohim një bilanc solid tuajin dhe të këtij institucioni të rëndësishëm – ju mirëpresim në studimet pasuniversitare”, theksoi Rexhepi.

Sipas tij, “Pjetër Budi” në vijimësi do të tregojë qëndrueshmëri dhe ruan rezerva për të ushtruar rolin e vet për të rrezatuar informacion shkencor, arsimor e kulturor, për të riformuluar vlerësimet në kushtet e një sistemi të hapur demokratik.

I ftuari në këtë ceremoni, shkrimtari dhe ligjëruesi i Artit të Mendimit Pozitiv, Daut Demaku, porositi studentët që të jenë të guximshëm në çdo hap që marrin në jetë, ndërkaq për dështimet të mos i fajësojnë të tjerët asnjëherë, por fajin ta kërkojnë te vetja.

Përfaqësuesi i Organizatës Studentore, Frashër Kastrati, iu është drejtuar studentëve nëpërmjet një videomesazhi nga SHBA-ja, ndërkaq ceremonia është shoqëruar edhe me pika artistike të interpretuara nga vijuesit e shkollës për kitarë “Vihuela”.

Ky vit akademik ishte i nënti me radhë i funksionimit të Kolegjit “Pjetër Budi”, i cili shquhet për ofrimin e studimeve universitare në programe akademike zhvillimore.

Share this:

Leave a comment

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

https://twitter.com/pjeter_budi
https://www.instagram.com/kolegjipjeterbudi/