Loading

Ka diplomuar të mërkurën, në Prishtinë, gjenerata e re e studentëve të Kolegjit “Pjetër Budi”. Studentë të katër drejtimeve: Doganë dhe Shpedicion, Sigurime, Menaxhim i Turizmit e Hotelerisë dhe Administrim Biznesi janë bërë bashkë me profesorë e familjarë, për të shënuar përfundimin e studimeve trevjeçare Bachelor dhe dyvjeçare Master.

Festë të arsimit, shkencës e kulturës dhe një rast për të shprehur mirënjohjen e thellë për ato punë të mira që ka bërë për gjithë këto vite brezi i studentëve që diplomuan, bashkë me profesoratin dhe punonjësit tjerë të Kolegjit, e cilësoi aktin solemn të diplomimit dekani i Kolegjit “Pjetër Budi”, prof. dr. Nuhi Rexhepi.

“Brezi juaj nga viti në vit ka shënuar përparim duke lëvizur drejt së ardhmes, duke synuar horizonte e lartësi të reja në fushë të dijes për të mbështetur të ardhmen, duke u bërë shtysë e rëndësishme për kultivimin e vlerave fillestare të studiuesve të rinj, që do të bëjnë emër në fushat e studimit që ndjekin. Rezultatet e punës suaj janë barometri që mat vlerat e padiskutueshme dhe që mund të japë alternativa të reja për të ardhmen, sepse universiteti prodhon, shqyrton, dhe shndërron kulturë nëpërmjet punës studimore, mësimdhënies dhe mësimnxënies”, tha Rexhepi.

Profesoresha Ulpiana Lama në fjalën e saj iu tha studentëve se dita e ceremonisë së diplomimit është një ditë e rëndësishme për ta, sepse kanë finalizuar një rrugëtim të gjatë në formimin akademik.

“Lejomëni t’ju them që, në këtë pjesë të botës ku gjysma studiojnë ekonomik dhe gjysma tjetër juridik, ju keni bërë zgjedhjen e duhur. Përgëzime! Vendimmarrja nuk është gjë e lehtë. Të marrësh vendimin e duhur për të ardhmen profesionale tregon pjekuri dhe inteligjencë”, theksoi ajo.

Profesori Ilir Bytyçi, ndërkaq, theksoi se Kolegji “Pjetër Budi” po kontribuon në zhvillimin dhe ndërtimin e shtetit të Kosovës, duke iu dhuruar të gjitha institucioneve publike e private gjenerata, të cilat janë të kualifikuara, të përgatitura dhe aftësuara në gjitha nivelet dhe fusha specifike. Kurse profesori Lulzim Shabani vuri në pah se zhvillimi i kapitalit intelektual është synim dhe mision i Kolegjit “Pjetër Budi”, institucion i cili për çdo ditë po rrit ndjeshëm edhe rolin e tij në zhvillimin e sektorëve prioritarë të ekonomisë.

Studentët dhe mysafirët i përshëndeti edhe Ludvik Kerquku, kryetar i Organizatës Studentore të “Pjetër Budit”, i cili për të pranishmit solli momente të ndryshme të përjetuara gjatë studimeve në këtë kolegj.

Ceremonia solemne e diplomimit të absolventëve të “Pjetër Budit”, e cila u shoqërua edhe me pika muzikore nga anëtaret e Orkestrës për Kitarë “Vihuela”, u organizua në Aneksin e Kolegjit në ish-ndërtesën e Ombudspersonit të Kosovës, në Prishtinë. Paraprakisht, të veshur me uniformat e absolventëve, studentët parakaluan nëpër sheshin “Nëna Terezë”.

Share this:

Leave a comment

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

https://twitter.com/pjeter_budi
https://www.instagram.com/kolegjipjeterbudi/