Sot, në ambientet e Kolegjit “Pjetër Budi”, në bashkëpunim me Forumin “Anadrini”, u mbajt një debat i rëndësishëm mbi të dhënat demografike dhe sfidat socioekonomike në Kosovë.
Nga prezantuesit u theksua se shifrat e migrimit dhe shpopullimit të vendit gjatë periudhës 2011–2024 janë alarmante, duke ngritur shqetësime serioze për të ardhmen demografike të Kosovës.
Ndërsa themeluesi i Kolegjit “Pjetër Budi”, z. Besim Ajeti, u shpreh:
“Këto statistika janë ato që janë dhe duhet të shërbejnë për të gjithë. Pajtohem që janë alarmante për Kosovën, por nëse ne e dimë ku po shkon vendi në planin afatgjatë dhe cili është qëllimi ynë, atëherë këto të dhëna na ndihmojnë të kuptojmë çfarë pune duhet bërë – asgjë më shumë.
Pyetja është: ku po shkojmë si Kosovë dhe cili është qëllimi ynë? Sepse drejtimi afatgjatë duhet të përcaktohet nga institucionet e Kosovës – nëse nuk është përcaktuar tashmë. Gjithçka tjetër është çështje pune dhe angazhimi”.
Rektori i Kolegjit, Prof. Ass. Dr. Sabri Klaiqi, falënderoi të gjithë pjesëmarrësit dhe theksoi se, në kohën kur Kolegji po feston 20-vjetorin e themelimit, ky debat është shumë domethënës për misionin e institucionit në edukimin dhe ndërgjegjësimin e brezave të rinj.
Në fund, pjesëmarrësit u përfshinë në një diskutim të hapur mbi rezultatet e fundit të regjistrimit të popullsisë dhe ndikimin e tyre në zhvillimin social dhe ekonomik të vendit.

