Loading

Kategori: Lajme

Numër i madh i dhuruesve vullnetarë të gjakut në Kolegjin “Pjetër Budi”

Një numër i madh studentësh, pjesëtarë të stafit akademik, administrativ e menaxhues i janë përgjigjur aksionit për dhurimin vullnetar të gjakut që u zhvillua të mërkurën në Kolegjin “Pjetër Budi”. Që në mëngjes, aksionit i është bashkuar edhe Drejtori i Bordit të Kolegjit, z. Besim Ajeti.

Aksioni është organizuar në prag të Ditës Botërore të Luftës Kundër Sëmundjes së Diabetit, që shënohet më 14 nëntor. Nga kjo sëmundje në botë vuajnë mbi 400 milionë njerëz, ndërkaq në Kosovë mendohet se çdo vit ndihmë mjekësore kërkojnë rreth 1000 persona.

Në kuadër të aktiviteteve jashtakademike dhe në përpjekje për edukimin e brezave të rinj edhe për humanizëm, Kolegji “Pjetër Budi” organizon rregullisht aksionet për dhurimin vullnetar të gjakut.

Na ndiqni ose bëni share postimet tona

Share this:

SONDAZH: 65 për qind e kosovarëve për bashkim me Shqipërinë

Më shumë se 65 për qind e kosovarëve janë pro bashkimit me Shqipërinë, sipas rezultatit të një sondazhi të realizuar nga Kolegji “Pjetër Budi”. 65.5 për qind e të anketurave i janë përgjigjur me “po, sepse bëhemi një shtet i fortë” pyetjes se a janë për bashkimin e Kosovës me Shqipërinë, përkundrejt 32.8 për qind nga ata që mendojnë se këto dy shtete nuk duhet të bëhen bashkë dhe se “Kosova duhet të funksionojë si shtet i pavarur”. Të pavendosur, që janë përgjigjur me “ende nuk e di” kanë qenë 1.7 për qind e të anketuarve.

Sondazhi është organizuar me qëllim të matjes së perceptimeve të qytetarëve përkitazi me bashkimin e Kosovës me Shqipërinë pas ngjarjeve të javëve të fundit dhe diskursit publik pro dhe kundër.

Na ndiqni ose bëni share postimet tona

Share this:

Profesori i Kolegjit “Pjetër Budi” në Forumin Evropian të Turizmit

Profesori i Kolegjit “Pjetër Budi”, Hysen Sogojeva ka marrë pjesë në Forumin Evropian të Turizmit, i cili është mbajtur në Napoli të Italisë. Përveç Sogojevës, i cili udhëheq Divizonin e Turizmit në Ministrinë e Tregtisë dhe Industrisë të Kosovës, pjesë e forumit ishte edhe zëvendësministri i MTI-së, Cuneyd Ustaibo.

Edicioni i 13-të i forumit kishte për temë turizmin dhe kulturën në Evropë dhe pjesëmarrësit diskutuan për gjetjen e mënyrave për zhvillimin e mëtejmë të industrisë së turizmit dhe shtimin e vendeve të punës në këtë sektor. Po ashtu, u trajtuan tema si digjitalizimi dhe inovacionet në turizëm, qasja në destinacione, si dhe trajnimi dhe edukimi në turizëm.

Përveç ministrave të turizmit të shteteve të BE-së dhe shteteve të tjera të Evropës, në forum të pranishëm ishin edhe komisionerët e Bashkimit Evropian për turizmin dhe kulturën.

“Pjesëmarrja e Kosovës atje ishte shumë e rëndësishme. Me kolegët e shteteve të tjera diskutuam mundësitë për rritjen e bashkëpunimit, në funksion të zhvillimit të turizmit”, tha prof. Sogojeva për Newsletter-in e “Pjetër Budit”.

Ndërkaq zëvendësministri Ustaibo në fjalimin e tij ka theksuar se momentalisht në botë ka rreth 1.2 miliard turistë, e deri në vitin 2030 ky numër do të ngritet në 2.5 miliardë. “Për këtë edhe Kosova do të ketë ngritje në turizëm, duke u bazuar në këto statistika, si dhe duke i ngritur kapacitetet turistike dhe duke krijuar mundësi për zhvillimin e ndërmarrjeve të vogla dhe të mesme, si shtyllë e rëndësishme e zhvillimit ekonomik”, ka theksuar ai.

Sipas Usatibos, një ndër qëllimet e zhvillimit ekonomik të Kosovës është edhe zhvillimi i turizmit regjional.“Krijimi i një pakoje turistike të përbashkët ndërmjet Kosovës, Shqipërisë, Maqedonisë, Malit të Zi, Serbisë dhe të tjerëve do të mund ta ngriste kapacitetin e turistëve dhe do të krijonte mundësi për zhvillim ekonomik të qëndrueshëm, për arsye se turizmi është një industri, që kërkon bashkëpunim për të pasur zhvillim”. Në këtë forum ka pasur bashkëbisedime bilaterale të delegacionit të Kosovës me delegacionet e Shqipërisë, Turqisë, Italisë e Kroacisë, me të cilët është diskutuar për bashkëpunim në fushën e turizmit.

Na ndiqni ose bëni share postimet tona

Share this:

Studentët e “Pjetër Budit” nisin punën hulumtuese në terren

Studentët e viteve të treta të Kolegjit “Pjetër Budi” kanë nisur punën në terren, për realizimin e hulumtimeve shkencore. Të ndarë në 12 grupe, ato do të realizojnë punë hulumtuese për dy muaj dhe më pas, punimet e tyre do t’i prezantojnë para publikut. Në fokus të hulumtimeve të studentëve janë tema të ndryshme. Kolegji “Pjetër Budi” shquhet për punë hulumtuese të stafit akademik dhe të studentëve. Ky projekt i hulumtimeve realizohet çdo vit.

Na ndiqni ose bëni share postimet tona

Share this:

Kolegji “Pjetër Budi” ndan bursa për anëtarët e Shoqatës së të Verbërve të Kosovës

Kolegji “Pjetër Budi”, Prishtinë ua ka ndarë katër bursa të plota studimi anëtarëve të Shoqatës së të Verbërve të Kosovës. Nëpërmjet një marrëveshjeje bashkëpunimi të nënshkruar ndërmjet themeluesit të Kolegjit “Pjetër Budi”, z. Besim Ajeti dhe drejtorit ekzekutiv të Shoqatës së të Verbërve, Mexhit Foniqi, të përzgjedhurve nga shoqata iu jepet mundësia që të studiojnë në ndonjërin nga programet akademike që ofron ky institucion i arsimit universitar.

Z. Foniqi e vlerësoi shumë të rëndësishme iniciativën e “Pjetër Budit” dhe qëllimin e mirë që t’u ofrohet arsim universitar edhe kësaj kategorie të shoqërisë. Ndërkaq, z. Ajeti tha se kjo iniciativë duhet të shërbejë për sensibilizimin e institucioneve të tjera të arsimit të lartë, që të krijojnë dhe ofrojnë mundësi studimi për personat me nevoja të veçanta të kategorive të ndryshme.

Shoqata e të Verbërve të Kosovës është organizatë joqeveritare, e cila angazhohet për mbrojtjen, përfaqësimin dhe afirmimin e interesave dhe të drejtave të qytetarëve të verbër pa dallim moshe, gjinie, përkatësie etnike dhe fetare.

Kolegji “Pjetër Budi”, ndërkaq, që nga themelimi ka aplikuar politika gjithëpërfshirëse në arsim për kategori të ndryshme të shoqërisë, që kanë përfunduar ose i vazhdojnë studimet në këtë institucion.

Na ndiqni ose bëni share postimet tona

Share this:

Sondazh i “Pjetër Budit”: Më shumë se gjysma e kosovarëve kundër zgjedhjeve të reja

Vetëm 28 për qind e kosovarëve janë të gatshëm të votojnë sërish, nëse organizohen edhe një palë zgjedhje sivjet, ndërsa më shumë se gjysma e kosovarëve konsiderojnë se “është maltretim” të dilet edhe njëherë sivjet në zgjedhje.
Saktësisht 56 për qind e tyre kanë dhënë këtë përgjigje në sondazhin e realizuar nga Kolegji “Pjetër Budi”, i cili për të anketuarit ka shtruar pyetjen: “A do të dilni në zgjedhje nëse ato organizohen edhe njëherë sivjet?”
Të gjeturat janë se nga ky anketim 28 për qind e të anketuarve konsiderojnë se do të votonin edhe në një palë zgjedhje “për shkak se është e nevojshme”, ndërsa 16 për qind e të anketuarve janë shprehur të pavendosur rreth pjesëmarrjes në zgjedhjet eventuale.
Sondazhi është organizuar me qëllim të matjes së përceptimeve të qytetarëve për organizimin e zgjedhjeve tëv reja, si rrugë për të dalë nga kriza politike dhe institucionale në të cilën Kosova ndodhet aktualisht.

Na ndiqni ose bëni share postimet tona

Share this:

Në Kolegjin “Pjetër Budi” filloi viti i ri akademik

Me një ceremoni solemne, sot në Kolegjin “Pjetër Budi” nisi viti akademik 2014/2015.

Dekani i Kolegjit “Pjetër Budi”, Nuhi Rexhepi, iu tha studentëve të rinj se do të studiojnë në një institucion prestigjioz, siç është “Pjetër Budi”, ndërkaq i porositi ata që të mos jenë vetëm dëgjues të mirë në auditorët e kolegjit, por bashkëpunëtorë aktivë e krijues në procesin e të mësuarit.
Një numër i madh brucoshësh filluan studimet në disa drejtime që ofron “Pjetër Budi”, si Doganë e Shpedicion, Juridik (me specializimet në të Drejtën Penale, Administrative-Kushtetuese, Financiare dhe Civile), Menaxhim i Turizmit dhe Hotelerisë, Administrim Biznesi, Menaxhim i Resurseve Njerëzore, Administratë Publike, Menaxhim i Marketingut, Banka-Kontroll Financiar dhe Sigurime.
Kolegji “Pjetër Budi” po e përmbyll dekadën e parë të funksionimit duke ofruar në arsimin universitar mundësi për studime në drejtime unike. Programet akademike zhvillimore dhe të lidhura ngushtë me tregun e punës e karakterizojnë “Pjetër Budin”, duke e bërë të veçantë karshi institucioneve tjera publike e jopublike të arsimit të lartë.
Krahas ligjërimit nga profesorë të njohur, Kolegji “Pjetër Budi” shquhet për punë praktike dhe profesionale të studentëve, ndërkaq është i vendosur në lokacion shumë të përshtatshëm, në qendër të Prishtinës. Po ashtu, Kolegji “Pjetër Budi” është qendër e kultivimit dhe zhvillimit të debatit, si dhe aktiviteteve të tjera kulturore e sportive.
Në ceremoninë solemne të fillimit të vitit akademik u ndanë edhe çmimet për garën e fotografisë

Na ndiqni ose bëni share postimet tona

Share this:

Sondazh: Shumica e kosovarëve kanë harxhuar 200-500 euro për pushime

Më shumë se gjysma e kosovarëve të anketuar nga Kolegji “Pjetër Budi” kanë shpenzuar 200-500 euro për pushimet verore. Saktësisht 56.7 për qind e të të anketuarve kanë shpenzuar këtë shumë parash, ndërkohë që 500-1000 euro i kanë shpenzuar 20 për qind e atyre që janë pyetur se sa para kanë shpenzuar për pushimet e tyre. Po kaq qytetarë kanë shpenzuar më shumë se 1000 euro, ndërkaq ka pasur edhe të atillë që pushimet verore i kanë kaluar me më pak se 200 euro. Numri i tyre është i vogël – 3.3 për qind e të anketuarve.

Na ndiqni ose bëni share postimet tona

Share this:

Ligjëruesit e “Pjetër Budit” – ekspertë në Autoritetin Kombëtar të Kualifikimeve

Sabri Klaiqi dhe Jeton Vokshi, ligjërues në Kolegjin “Pjetër Budi”, të cilët po ashtu kanë përfunduar studimet themelore dhe postdiplomike në këtë kolegj, janë angazhuar në Autoritetin Kombëtar të Kualifikimeve, në cilësinë e ekspertëve për verifikimin e standardit të profesionit, respektivisht standardit të profesionit “oficer doganor”, në sektorin e sigurisë publike.

“Falë Kolegjit ‘Pjetër Budi’ ku mbarova studimet Bachelor dhe Master, si dhe angazhimin tim në stafin akademik të këtij institucioni, pata fatin, dijen, guximin dhe profesonin deficitar të jem i angazhuar edhe në Autoritetin Kombëtar të Kualifikimeve”, thotë Klaiqi, tash kandidat për doktoraturë.

Sipas Klaiqit, verifikimet e sandardit të profesionit do të bëhen në bazë të disa kritereve, si identifikimi i të dhënave të ekipit zhvillues dhe shqyrtimi e analizimi i përmbajtjes së standardit të profesionit, verifikimi i kodit e formatit të standardit të profesionit, si dhe detyra e përgjegjësi të tjera, të përcaktuara me ligj.

Na ndiqni ose bëni share postimet tona

Share this:

Konkurs për staf akademik

Kolegji “Pjetër Budi” në Prishtinë shpall konkurs për plotësimin e vendeve të lira të punës për stafin akademik:

 

  1. Dr. i shkencave ekonomike
  2. Dr. i shkencave juridike
  3. Dr. i shkencave të menaxhmentit
  4. Dr. i fushës së doganës
  5. Dr. i fushës së turizmit
  6. Dr. i fushës së teknologjisë ushqimore

Të interesuarit për vendet e punës duhet të paraqesin dokumentacionin si në vijim:

  1. Letër kërkesë për punë
  2. CV
  3. Kopje të diplomave/certifikatave të përgatitjes profesionale
  4. Kopje të një dokumenti identifikimi (letërnjoftim ose pasaportë)

Afati i fundit për aplikim është 25.09.2014.

 

Të interesuarit duhet t’i dërgojnë dokumentet nëpërmjet email adresës pjeterbudi@gmail.com.

Informatat shtesë mund të merren në telefonat 038 234 566, 044 163 372 dhe 049 163 372, ose nëpërmjet emailit pjeterbudi@gmail.com.

Kolegji “Pjetër Budi”
Rr. “Agim Ramadani” (përballë Mensës së Studentëve)

Prishtinë

 

 

Na ndiqni ose bëni share postimet tona

Share this:

https://www.facebook.com/KolegjiPjeterBudi/?_rdc=1&_rdr
https://www.facebook.com/KolegjiPjeterBudi/?_rdc=1&_rdr
https://twitter.com/pjeter_budi
https://www.instagram.com/kolegjipjeterbudi/