Besim Ajeti luan rolin kryesor në filmin “Gjumë dhe dashuri”

Filmi, i cili së shpejti do të jetë në duar të selektorëve të festivalit prestigjioz Berlinale, është subvencionuar vitin e kaluar nga Qendra Kinematografike e Kosovës.
Aktori Besim Ajeti, themelues i Kolegjit “Pjetër Budi”, luan rolin kryesor në filmin “Gjumë dhe dashuri”, xhirimet e të cilit kanë
përfunduar para pak ditësh. Filmi me skenar të Arsim Halitit e Arian Krasniqit, regji të Arsim Halitit dhe me producent Valon Bujupin është një dramë komplekse familjare.
Në qendër të filmit “Gjumë dhe dashuri” është Astriti, i cili bën çka është e mundur për të shëruar vajzën e tij, Zanën, e cila prej muajsh ka rënë në koma si pasojë e një aksidenti. Në momentin kur Astriti vendos ta shesë edhe shtëpinë për ta dërguar vajzën e tij jashtë vendit, mjekët zbulojnë se Zana është shtatzënë. Ky lajm e trondit Astritin dhe ai bie në konflikt me gruan e tij, në përpjekje për të zbuluar se me kë ka mbetur shtatzënë Zana. Astriti vihet në kërkim të babait të fëmijës së palindur e që vazhdon të rritet në barkun e vajzës, e cila është në koma.
Aktori Besim Ajeti ka mbaruar Akademinë e Arteve, Dega e Aktrimit në Prishtinë, si dhe studimet e magjistraturës në Fakultetin e Arteve të Universitetit të Prishtinës. Që nga viti 1997, në periudha të ndryshme kohore, ka drejtuar institucione të ndryshme artistike. Gjatë viteve 1997-1998 ishte drejtor i Teatrit Alternativ të Prishtinës, i themeluar bashkë me emra të shquar të skenës kosovare, si Enver Petrovci, Fatos Berisha, Rafet Rudi etj. Në vitin 2002, Ajeti ka themeluar festivalin e filmit FestFilm Kosova “Hyjnesha në Fron”.
Ndërkaq, në vitin 2005 ka themeluar Kolegjin “Pjetër Budi” dhe tash është drejtor i Bordit të kolegjit. Ka luajtur në shumë shfaqje
tatrore, si “Odisea shqiptare”, ”Të mallkuarit”, “Aromë portokalli”, “Kush më ka faj që jam shqipëtar”, “Oh Karmela” etj, si dhe në filma dhe seriale televizive: “Shtëpia e Tmerrit”, “Jeta e një toke”, “Kaqurrelat” etj.
Në filmin e fundit “Gjumë dhe dashuri”, përveç Ajetit luajnë edhe Anisa Ismaili, Selami Taraku, Hysen Binaku, Verona Hoxha, Besfort Berberi, Alban Goranci, Luljeta Bajraktari, Bislim Muçaj etj.

Leave a comment