Banka Botërore e fokusuar në energjetikë

Prishtinë, 5 qershor – Anëtarësimi i Kosovës në Bankën Botërore (BB) do t’i sjellë shumë të mira vendit. Më t’u bërë pjesë e BB-së, Kosova do të jetë në gjendje të tërheqë edhe organizata të tjera financiare dhe investitorë të mëdhenj, si dhe do të jetë pjesë e integruar e tregut global.
Megjithatë, vendi do të marrë edhe përgjegjësi, siç është kthimi i borxhit që i takon, si pjesë e ish-Jugosllavisë.
Kështu tha të premten Drejtori i Bankës Botërore në Kosovë, Ranjit Nayak, gjatë një bashkëbisedimi me studentët e Universitetit të Shkencave Organizative “Pjetër Budi”, në temën “Efektet e krizës ekonomike në Kosovë dhe strategjitë për luftimin e varfërisë”.
Sipas Nayakut, efektet e krizës globale po ndihen edhe në Kosovë: paratë nga disapora po zvogëlohen, eksportet janë në nivelin 3 për qind dhe janë duke rënë, ndërkohë që janë duke u zvogëluar edhe investimet e huaja direkte. Ai tha se mund të thuhet se Kosova ka pasur fat që kriza po ndodh tash, e jo pas 10 vjetësh, sepse me anëtarësimin në organizata ndërkombëtare vendi integrohet gjithnjë e më shumë në tregun financiar dhe, rrjedhimisht, preket më shumë nga kriza.
Banka Botërore, sipas shefit të saj në Kosovë, ka strategji për luftimin e varfërisë, strategji kjo e cila determinohet nga prioritetet e qeverisë, por merren parasysh edhe prioritetet e donatorëve të tjerë. Për dy vitet e ardhshme, kjo strategji është e fokusuar në fushën energjetike, investimet në bujqësi dhe ngritjen e kapaciteteve të qeverisë për menaxhimin e parave.
Nayak ka përmendur edhe investimet e bëra pas luftës në vend. Që nga atëherë, Banka Botërore e ka ndihmuar Kosovën me 200 milionë dollarë grante.

Leave a comment