Avokati i Popullit: Në veri s’ka shtet

Avokati i Popullit, Sami Kurteshi, ka thënë para studentëve të Kolegjit “Pjetër Budi” se shteti i Kosovës nuk funksionon në veri të vendit.

“Në pjesën veriore të Kosovës (Mitrovicë e Veriut, Zveçan, Zubin Potok e Leposaviq) nuk mund të flitet për ekzistim të pjesës së shtetit të rregullt, sepse nuk ka pushtet. Qeveria e Kosovës, institucionet e Kosovës nuk kanë pushtet në pjesën veriore. Atje është një anarki e organizuar në mënyrë shtetërore nga Serbia. Ajo është anarki e kontrolluar nga Serbia. Atje nuk respektohet asnjë ligj i Kosovës”, ka thënë ai të enjten, gjatë një bashkëbisedimi me studentët.

Pasi ka folur për funksionimin e Institucionit të Avokatit të Popullit, Kurteshi është shprehur se numri i ankesave në veri është shumë më i vogël, pasi që atje qytetarët nuk i njohin institucionet e Kosovës. Ndërkaq, lidhur me ankesat që i janë adresuar këtij institucioni, Kurteshi ka thënë se shumica vijnë ndaj ekzekutivit dhe gjyqësorit. “Prin ekzekutivi me mbi 40 për qind të ankesave, pasuar nga gjyqësori me rreth 35 për qind”.

Gjatë këtij viti, Avokati i Popullit ka pranuar rreth 2000 ankesa, që është numër më i madh krahasuar me vitet e kaluara.

Kurteshi ka thënë se Institucioni i Avokatit të Popullit është i pavarur, ndërkaq ka përmendur edhe sfidat me të cilat përballet institucioni gjatë punës së tij.

Leave a comment