Albin Kurti debatoi me studentët e Kolegjit “Pjetër Budi”

Krijimi i tribunalit për hetimin e krimeve të pretenduara të UÇK-së është rezultat i kapitullimit të kryeministrit Hashim Thaçi në bisedimet me Serbinë. Kështu tha të premten, në një debat me studentët e Kolegjit “Pjetër Budi”, kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti. “Ai mund të bëjë gjithçka në Bruksel, në bisedimet me dyer të mbyllura, përveç rezistencës”, u shpreh ai.

Përpara studentëve, Kurti ka folur edhe për çështjen e ulëseve të rezervuara për pakicat në Kuvendin e Kosovës. “Ne iu kemi thënë jo ulëseve të rezervuara. Nuk janë të drejta as ulëset e garantuara”.

Ndërkaq duke folur për kuotën gjinore ekzistuese, ai u shpreh se Vetëvendosje është për kuotën gjinore, për shkak se ka pasur tepër shumë diskriminim ndaj gruas në shoqërinë tonë, “por që kjo kuotë të bëhet e panevojshme me kalimin e kohës”.

Për projektiligjin e veteranëve të luftës tha se ka mangësi sepse i trajton ata si problem social.

Duke komentuar premtimet dhe vendimet e javëve të fundit të kryeministrit Thaçi, Kurti theksoi se “kjo është logjikë e aksham pazarit”. Sipas tij, ka shumë vendime të qeverisë që mund të korrigjohen dhe të kthehen mbrapsht, nëse Vetëvendosje vjen në pushtet.

 

Duke folur për orientimin ideologjik të subjektit politik që drejton, Kurti u shpreh se alternativa qeverisëse e Vetëvendosjes është një lloj socialdemokracie republikane, qendër e majtë dhe dëshiron që zhvillimi ekonomik të jetë i qëndrueshme, si dhe të zbusë pabarazinë në shoqëri.

Sipas tij, modeli i këtij subjekti për zhvillimin ekonomik është modeli i shtetit zhvillimor – një model që është më i afërt me modelin franko-gjerman.

Lideri i Vetëvendosjes theksoi se nëse ky subjekt vjen në pushtet nuk do të shpenzojë para në asfalt, por do të fokusohen në investimet në bujqësi e industri, jo vetëm në industri të lehtë, por edhe në të rëndën. Po ashtu, për mallrat e luksit TVSH do të bëhej 20 për qind, ndërkohë që për produktet themelore të konsumit ky tatim do të ishte zero.

Kurti foli për garantimin e konkurrencës së ndershme dhe për barazi në të gjithë sektorët.

“Nuk e kemi as fobinë, e as maninë e privatit. Publikja dhe privaja mund të bashkëjetojnë në mënyrë të përsosur”, theksoi ai

Për alternativën qeverisëse të Vetëvendosjes, të prezantuar para pak ditësh, Kurti tha se e panegociueshme është fryma e saj, por jo germa. “Nuk janë të negociueshme parimet, por është e negociueshme strategjia”.

Ndërkaq i pyetur për për zhvillimet e fundit në Komunën e Prishtinës, respektivisht arrestimin e zyrtarëve të Inspektoratit të Ndërtimit, Kurti u përgjigj: “Mafinë ndërtimore e kemi ndalë, por nuk e kemi zbrapsë. Sot nuk ka inspektorë në komunë – nuk po zhvillohen ndërtime pa leje. Më herët ata ishin në komunë, e kishte shumë ndërtime të tilla”.

Kurti lavdëroi personalitetin dhe punën e kryetarit të Prishtinës, Shpend Ahmeti, duke thënë se me fitoren e tij kanë fituar qytetarët. “Në Komunën e Prishtinës tash shkohet në punë në orën 7”, tha ai.

Teksa foli për problemet e ndryshme në kryeqytet, siç është trafiku i stërngarkuar, lideri i Vetëvendosjes tha se Prishtina së pari duhet t’i kthehet këmbësorit, më pas biçiklistit, e më pas trafikut urban.

Për rezultatin e dobët në komunat tjera, në zgjedhjet lokale, Kurti tha se alternativa lokale e Vetëvendosjes nuk ka arritur të depërtojë, ndërkohë që Prishtina ishte tjetër dhe e kishte përparësi kandidatin e jashtëzakonshem. “Nuk mund ta kemi nga një Shpend në çdo komunë”, tha ai.

 

Debati me Kurtin, organizuar nga Klubi i Debatit i Kolegjit “Pjetër Budi” u organizua në kuadër të serisë së debateve me liderë partiakë, para zgjedhjeve nacionale.

Leave a comment