Loading

Muaj: Maj 2018

Zyrtarë të EULEX-it mbajtën ligjëratë në kolegjin “ Pjetër Budi”

Robert Schofield dhe Gareth Reed, zyrtarë të EULEX-it, nga sektori i këshillimit doganor, mbajtën të hënën një ligjëratë për studentët e drejtimit Doganë dhe Shpedicion në Kolegjin “Pjetër Budi”.
Ata ndër të tjera folën për punën e EULEX-it në Doganë dhe menaxhimin e kufijve. Gjatë kësaj ligjërate u dhanë edhe shembuj konkretë lidhur me vlerësimin e riskut dhe me metodat dhe aparatet e ndryshme që përdoren për detektim.
Gareth Reed është këshilltar për Vlerësimin e Rreziqeve Doganore në EULEX, kurse Robert Schofield këshilltar për Hetimet Doganore.
Kjo ligjëratë e ekspertëve të EULEX-it është vazhdim i ciklit të ligjëratave të këtij misioni që po mbahen me studentët e Doganës dhe Shpedicionit, e që do të vazhdojnë edhe në muajt e ardhshëm.
Na ndiqni ose bëni share postimet tona

Banka Botërore e fokusuar në energjetikë

Prishtinë, 5 qershor – Anëtarësimi i Kosovës në Bankën Botërore (BB) do t’i sjellë shumë të mira vendit. Më t’u bërë pjesë e BB-së, Kosova do të jetë në gjendje të tërheqë edhe organizata të tjera financiare dhe investitorë të mëdhenj, si dhe do të jetë pjesë e integruar e tregut global.
Megjithatë, vendi do të marrë edhe përgjegjësi, siç është kthimi i borxhit që i takon, si pjesë e ish-Jugosllavisë.
Kështu tha të premten Drejtori i Bankës Botërore në Kosovë, Ranjit Nayak, gjatë një bashkëbisedimi me studentët e Universitetit të Shkencave Organizative “Pjetër Budi”, në temën “Efektet e krizës ekonomike në Kosovë dhe strategjitë për luftimin e varfërisë”.
Sipas Nayakut, efektet e krizës globale po ndihen edhe në Kosovë: paratë nga disapora po zvogëlohen, eksportet janë në nivelin 3 për qind dhe janë duke rënë, ndërkohë që janë duke u zvogëluar edhe investimet e huaja direkte. Ai tha se mund të thuhet se Kosova ka pasur fat që kriza po ndodh tash, e jo pas 10 vjetësh, sepse me anëtarësimin në organizata ndërkombëtare vendi integrohet gjithnjë e më shumë në tregun financiar dhe, rrjedhimisht, preket më shumë nga kriza.
Banka Botërore, sipas shefit të saj në Kosovë, ka strategji për luftimin e varfërisë, strategji kjo e cila determinohet nga prioritetet e qeverisë, por merren parasysh edhe prioritetet e donatorëve të tjerë. Për dy vitet e ardhshme, kjo strategji është e fokusuar në fushën energjetike, investimet në bujqësi dhe ngritjen e kapaciteteve të qeverisë për menaxhimin e parave.
Nayak ka përmendur edhe investimet e bëra pas luftës në vend. Që nga atëherë, Banka Botërore e ka ndihmuar Kosovën me 200 milionë dollarë grante.
Na ndiqni ose bëni share postimet tona

U mbajt turniri në bowling

Hamdi Krasniqi, absolvent i drejtimit Doganë dhe Shpedicion është shpallur fitues i turnirit të bowlingut të Kolegjit “Pjetër Budi”, i cili u mbajt të hënën, më 24 qershor, në Prishtinë. Në vendin e dytë, ndërkaq, u rendit kryetari i Organizatës Studentore të “Pjetër Budit”, Ludvik Kërquku, po ashtu absolvent i drejtimit Doganë dhe Shpedicion.
Turniri tashmë tradicional është organizuar në kuadër të manifestimit Ditët e Hapura të “Pjetër Budit”
Na ndiqni ose bëni share postimet tona

Sylë Tahirsylaj mbajti një ligjëratë për studentët e “Pjetër Budit”

Prishtinë, 17 qershor

Prf.Dr. Sylë Tahirsylaj, drejtor i Institutit Hidrometeorologjik të Kosovës, ka mbajtur një ligjëratë për studentët e Kolegjit “Pjetër Budi”, lidhur me sistemin e monitorimit të ujërave sipërfaqësore, dheut dhe cilësisë së ajrit.
Gjatë kësaj ligjërate, Tahirsylaj ka ndarë me studentët disa nga punimet dhe hulumtimet që lidhen me cilësinë e ajrit në Kosovë.
Kjo ligjëratë është organizuar në kuadër të manifestimit Ditët e Hapura të “Pjetër Budit”, ku studentët kanë mundësinë të bashkëbisedojnë me ekspertë dhe personalitete të shquara të fushave të ndryshme.
Na ndiqni ose bëni share postimet tona

Ligjëratë për Nelson Mandelën në “Pjetër Budi”

Në shenjë të nderimit për njeriun që ia kushtoi gjithë jetën mesazheve të paqes dhe me rastin e vdekjes së tij, Kolegji “Pjetër Budi” organizoi një ligjëratë të hapur për jetën dhe veprën e Nelson Mandelës.

 

Në ligjëratë u tha se, vdekja e Mandelës është një humbje e madhe jo vetëm për Afrikën e Jugut, por edhe për gjithë njerëzimin. Mandela, i cili është angazhuar me dekada për luftën kundër apartheidit, për çfarë i vuajti 27 vjet burg, ishte dhe do të mbetet simboli i paqes, i lirisë dhe i barazisë. Ai ishte dhe mbetet simboli i përpjekjeve të përgjithshme njerëzore për një botë më të mirë dhe për një botë më të drejtë. Nelson Mandela do të mbetet inspirim për brezat që janë dhe për brezat që do të vijnë. Po ashtu, gjatë ligjëratës u prezantua edhe biografia e tij.

Na ndiqni ose bëni share postimet tona

Russell: Mos u mësoni të jetoni me korrupsionin

Korrupsioni është një sëmundje. Nëse jetoni gjatë me korrupsionin, mësoheni me të. Një shoqëri e fuqishme, me energjinë e të rinjve mund të ndihmojë që qasja në vend të ndryshojë për të mirë. Kështu tha të mërkurën, në një ligjëratë para studentëve të Kolegjit “Pjetër Budi” Andrew Russell, Koordinator i OKB-së për Zhvillim dhe Përfaqësuesi i Përhershëm i UNDP-së në Kosovë.

“Në një kontekst tjetër, në një vend tjetër, një shoqëri vibrante ku rinia ishte forca shtytëse dhe kishte mundësi ta shpreh veten në mënyrë jo të dhunshme, është dëshmuar që kanë ndihmuar të ndryshojë qasja kulturore”.

Russell foli për zhvillimin njerëzor dhe ekonomik në Kosovë, duke u fokusuar në mundësitë për reduktimin e varfërisë dhe papunësisë.

“Pse kaq shumë varfëri në Kosovë? Keni varfëri, sepse keni korrupsion, sepse ilaçi nuk po gjendet, sepse sistemi arsimor nuk po sjell rezultatet e pritura, sepse lidershipi politik që ju e keni votuar beson që prioritet për Kosovën duhet të jetë ndërtimi i rrjetit të rrugëve dhe lidhja me rajonin”, u shpreh Russell. Sipas tij, mund të investohen miliona në rrugë, por nuk gjenden 200 mijë euro për ndihmë juridike falas për qytetarët që kanë nevojë për një gjë të tillë.

“Ju mund të voziteni rrugëve të bukura, por nëse keni nevojë për ndihmë juridike, mund të mos e siguroni atë”.

Ai foli edhe për probleme të tjera, me të cilat është ballafaquar Kosova që nga viti 1999.

“Procesi i gjatë i mbikëqyrjes ndërkombëtare dhe zhvillimet pas saj nuk ju kanë ndihmuar shumë në zhvillimin e vendit. Në vitin 1999 OKB ka instaluar misionin e saj administrativ në Kosovë dhe në Timorin Lindor. Por, Timori Lindor ka ecur me hapa shumë të shpejtë, sidomos nga viti 2003”.

Sipas Russell, mosqenia ende pjesë e OKB-së ka bërë që Kosova të mos ketë mundësi të shfrytëzojë shumë benefite. “Të jesh shtet i barabartë me të tjerët në kuadër të OKB-së nënkupton edhe mundësinë e përdorimit të fondeve të ndryshme për nevoja të ndryshme”.

Russell ka folur edhe për aktivitetet e UNDP-së, duke përmendur si projekte mjaft të rëndësishme dhe të suksesshme ato që kanë të bëjnë me ngritjen e kapaciteteve njerëzore dhe sjelljen në agjendë për herë të parë të çështjeve si korrupsioni, varfëria e zhvillimi njerëzor.

“Qëllimi ynë është që t’i ndihmojmë njerëzit e Kosovës, që t’i ngrisim kapacitetet në fusha të ndryshme, për një zhvillim të shpejtë”, theksoi Russell.

 

Ligjërata e Russellit u zhvillua në kuadër të Klubit të Debatit të Kolegjit “Pjetër Budi”, që funksionon tash pesë vjet me qëllim gjenerimin e debatit në shoqëri dhe kultivimin e mendimit kritik te studentët.

Na ndiqni ose bëni share postimet tona

Kolegji “Pjetër Budi” pjesë e shënimit të Ditës së Tokës

Studentë të Kolegjit “Pjetër Budi” kanë marrë pjesë në shënimin e Ditës së Tokës, që u organizua sot me një varg aktivitetesh në Prishtinë. Nëpërmjet prezantimit të ofertës së “Pjetër Budit”, në sheshin “Zahir Pajaziti”, si dhe pjesëmarrjes në organizim, studentët e Programit Menaxhimi i Turizmit dhe Hotelerisë promovuan dhe nxitën pjesëmarrjen qytetare në menaxhimin e mbeturinave dhe, po ashtu, do të jenë pjesë e promovimit të rrjetit “EcoFriend”, pjesë e të cilit është edhe Kolegji “Pjetër Budi”. 
Dita e Tokës festohet çdo 22 prill në më shumë se 75 vende të botës dhe nga më se 500 milionë njerëz. Zyrtarisht, Kombet e Bashkuara e caktuan 22 prillin si Dita e Tokës dhe muajin prill si muajin e tokës. Kjo ditë shënohen me qëllim ndërgjegjësimin sa më të madh të qytetarëve për rëndësinë e mbrojtjes së ambientit.

Na ndiqni ose bëni share postimet tona

Ibrahim Nicaj zgjedhet kryetar i Parlamentit Studentor

Kolegji “Pjetër Budi” gjatë javëve të kaluar organizoi zgjedhjet studentore, ku morën pjesë studentët e drejtimeve të ndryshme, me këtë rast u bë zgjedhja e përfaqësuesve të të gjitha programeve që organizon Kolegji “Pjetër Budi”.
Ibrahim Nicaj, student i Programit Administrim Biznesi, është zgjedhur kryetar i Parlamentit Studentor të Kolegjit “Pjetër Budi”, me shumicë votash të përfaqësuesve të këshillave të programeve. Ndërkaq, nënkryetare është zgjedhur Azize Rama dhe sekretar Erblin Iberhysaj. Kështu, procesi i zgjedhjeve studentore në “Pjetër Budi” ka përfunduar dhe përfaqësuesit e zgjedhur janë zotuar se do të jenë të përkushtuar në organizimin sa më të mirë të aktiviteve dhe jetës studentore në përgjithësi.
Këto zgjedhje, të organizuara prej vitesh nga Kolegji ‘Pjetër Budi’, dëshmojnë punën dhe angazhimin e studentëve dhe stafit të Kolegjit për të krijuar mundësi, çasje dhe transparencë ndërmjet palësh. Përfaqësuesve të ri të studentëve, Kolegji ‘Pjetër Budi’ iu uron punë të mbarë dhe përfaqësim të denjë aktivitetet e studentëve dhe zotohet në vazhdimin e mbështetjes të cilën gjë Kolegji e ka bërë edhe më parë. Këshilli i studentëve sipas programeve është si në vijim: Këshilli i studentëve i programit Doganë dhe Shpedicion përbëhet nga: Ibrahim Deliu, Florian Aliu, Drenicë Zogaj, Mergime Bajrami, Jasmin Sylka dhe Lis Sahiti; Këshilli i studentëve i programit Administrim Biznesi përbëhet nga Anduenë Gashi, Duresa Mustafa, Gent Ukaj, Avni Mustafa dhe Fatime Krasniqi; Këshilli i studentëve i programit Menaxhim i Turizmit dhe Hotelerisë përbëhet nga Blerta Murseli, Dardan Makolli, Anita Bahtiri dhe Ukë Morina; dhe në fund, Këshilli i studentëve i programit Sigurime përbëhet nga Ilaz Kqiku dhe Ardit Breznica.

Na ndiqni ose bëni share postimet tona

“Pjetër Budi” nënshkruan marrëveshje me Universitetin Politehnica të Bukureshtit

Kolegji “Pjetër Budi” ka nënshkruar marrëveshje bashkëpunimi me Fakultetin e Shkencave Kompjuterike dhe Kontrollit Automatik të Universitetit Politehnica të Bukureshtit (Rumani).

Marrëveshja përfshin fusha të gjera bashkëpunimi ndërmjet dy institucioneve, me fokus në bashkëpunim intensiv në fushën e shkencave kompjuterike dhe inxhinierisë. Sipas marrëveshjes, mësimi dhe hulumtimi shkencor, shkëmbimi i stafit, pjesëmarrja e përbashkët në aktivitete hulumtuese dhe zhvillim profesional, si dhe organizimi i simpoziumeve dhe konferencave të përbashkëta do të jetë në qendër të bashkëpunimit të të dy institucioneve.

Sipas Scimago Lab, Universiteti Politehnica i Bukureshtit është i renditur në vendin e 546-të në botë, të 15-tin në rajon dhe në vendin e parë në Rumani sa i përket numrit të publikimeve shkencore.

Na ndiqni ose bëni share postimet tona
pjeterbudi@gmail.com
https://www.facebook.com/KolegjiPjeterBudi/?_rdc=1&_rdr
https://twitter.com/pjeter_budi
https://www.instagram.com/kolegjipjeterbudi/
GOOGLE
https://pjeterbudi-edu.com/2018/05">